Vendimi i UEFA-s: Shqipëria humbet 3-0 ndaj Serbisë

24.10.2014 14:32

Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s ka marrë një vendim që në fakt ishte paralajmëruar nga presidenti i saj, Mishel Platini........

Ky i fundit kishte deklaruar se të dyja federatat do të ngelnin të pakënaqura, por në fakt e vërteta është se qeveria e futbollit europian nuk ka bërë aspak drejtësi, përkundrazi, ka barazuar në këtë rast dhunuesin (Serbinë) me viktimën (Shqipërinë).

Humbja e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 nga Shqipëria do të thotë se është marrë në konsideratë relacioni i gjyqtarit, se Shqipëria nuk pranoi të rifillonte ndeshjen, pasi ajo u ndërpre në minutën e 41-të, ndërsa serbëve si organizatorë të ndeshjes, si përsëritës në të tilla incidente të rënda, u janë hequr tri pikë nga klasifikimi aktual, por u janë kompensuar njëkohësisht me tri pikët që i merr ndaj Shqipërisë, ndërsa do të luajnë dy ndeshjet e radhës kualifikuese pa tifozë. Kujtojmë se fitorja e ndeshjes së 14 tetorit i shkon automatikisht Serbisë, në shifrat 3-0.

Të dyja federatat respektive janë gjobitur me nga 100 mijë euro për incidentet e ndodhura gjatë ndeshjes së luajtur më 14 tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Mbetet të shihet se cfarë vendimi do të marrin krerët e FSHF-së, të cilët kanë paralajmëruar dërgimin e cështjes në Komisionin e Apelit të UEFA-s.

Për momentin, Shqipëria mbetet në kuotën e 4 pikëve në Grupin I kualifikues, aq sa ka edhe Danimarka, ndërsa “de facto” i bie që Serbia nuk ka marrë asnjë dënim tjetër veç dy ndeshjeve pa tifozë, sepse me njërën dorë i janë dhënë tri pikët e ndeshjes me Shqipërinë në tavolinë, me dorën tjetër i janë hequr tri pikë nga UEFA. Pra, kombëtarja e drejtuar nga Dik Advokat ka mbetur me 1 pikë, falë barazimit në Azerbajxhan.

E turpshme, skandaloze, njollë e madhe për vetë UEFA-n, që bëhet palë me dhunuesit recidivistë, sikurse janë serbët, që mbyll sytë para pamjeve skandaloze të invadimit të fushës nga tifozët serbë, të dhunimit fizik të lojtarëve kuqezinj, të thirrjeve raciste “Virsni shqiptarët” tërë kohës, të vërshëllimit të himnit shqiptar kur u intonua para ndeshjes, të hyrjes në fushë të Ivan Bogdanov, ultrasi i dënuar me 5 vite nga vetë UEFA për të mos shkelur në asnjë stadium, etj. etj.

Dhuna ndaj shqiptarëve ka vazhduar kësisoji edhe më e ashpër në tavolinën e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, ku është nëpërkëmbur një komb i tërë. Platini dhe të tijtë dëshmojnë hapur afinitetin me Serbinë dhe kjo s’do mend për t’u kuptuar. Pasi na ndaloi tifozët të udhëtonin drejt Serbisë, pasi na dërgoi në një stadium pa asnjëlloj sigurie, ku forcat policore bënin sehir para huliganëve serbë, që hynë në mes të fushës e goditën lojtarët tanë, në rastin më të mirë, apo në rastin më të keq godisnin edhe vetë lojtarët shqiptarë, Mishel Platini dhe UEFA e tij e padrejtësisë së madhe, na injoron edhe përballë rregullave të lojës. Që nuk qenkan të barabarta për të gjithë anëtarët e saj.

Në rastin e Shqipërisë jo të paktën. Sepse para dy vitesh, kur bëhej fjalë për Italinë, vetëm se u djeg flamuri shqiptar në Xhenova, iu dhanë 3 pikët e ndeshjes me Serbinë në tavolinë. (Artan Ziberi, TVM2)