Botë

OBSh: Origjina e virusit është e rëndësishme

30.06.2020 11:29

OBSH paralajmëron se më e keqja e pandemisë së virusit Korona mund të mos ketë ardhur ende....

OBSH paralajmëron se më e keqja e pandemisë së virusit Korona mund të mos ketë ardhur ende. Drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se virusi mund të infektojë shumë më tepër njerëz nëse qeveritë nuk do të fillojnë të implementojnë politikat e duhura. Mesazhi i tij ndërkohë mbetet: testoni, gjurmoni, izoloni dhe karantinoni! Ai tha  se  javën e ardhshme do të dërgojë një ekip në Kinë, për të studiuar origjinën e virusit Korona.  
 
“Njohja e origjinës së këtij virusi është shumë e rëndësishme. Mund ta gjurmojmë dhe luftojmë më mirë Covid-19, kur të mësojmë më shumë rreth tij, përfshirë edhe se si ka nisur. Do të dërgojmë një ekip javën që vjen, për të qenë të përgatitur.”,- deklaroi drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
 
Mbi 10.3 milionë njerëz janë prekur nga virusi Korona në botë, viktimat janë mbi 505 mijë. Gjysma e rasteve globale janë regjistruar në SHBA dhe Evropë, por Covid-19 po rritet shpejt në Amerikën Latine, madje edhe në Azinë Jugore dhe Afrikë, ku nuk pritet të arrijë kulmi deri në fund të korrikut. Më shumë shtete rreth botës po i rikthehen masave të izolimit. 16 shtete amerikane kanë rikthyer kufizimet, trendi i infektimeve në të paktën 36 shtete është në rritje. OBSh u kërkoi më shumë qeverive të ndiqnin shembujt e Gjermanisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë, që i mbajtën shpërthimet e tyre nën kontroll përmes politikave që përfshinin testime rigoroze dhe gjurmime. 
 
REJHANE BUSHI METAJ