Botë
Shqipëri, 3 të vdekur e 69 raste të reja me Covid-19
30.06.2020 12:34
Tre qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit në Shqipëri...

Tre qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit në Shqipëri, ku janë konfirmuar edhe 69 raste pozitive. Aktualisht në Shqipëri ka 1,014 persona aktivë, kryesisht në Tiranë, Shkodër dhe Durrës.
“Një 44-vjeçare nga Durrësi, një pacient 71-vjeçar nga Tirana dhe një pacient 85-vjeçar gjithashtu nga Tirana, ku të tre pacientët kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur të mbijetojnë për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit intensiv nga stafi mjekësor. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 69 raste pozitive.”,- deklaroi ministrja e shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.
Kosovë, 111 të shtruar në Klinikën Infektive në QSUK
Në Klinikën Infektive të Kosovës aktualisht janë të shtruar 111 raste me Covid-19. 66 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjen dhe kujdes intensiv. Në repartin e Mjekimit Intensiv të kësaj klinike janë duke u trajtuar 6 raste, 2 prej të cilëve në gjendje të rëndë dhe 4 raste në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë. Disa pacientë me Covid-19 janë të shtruar edhe në objektin e Mjekësisë Sportive dhe në Klinikën e Pulmologjisë. Kosova ka konfirmuar gjithsej 2,799 raste me Covid 19, prej tyre, 1,506 janë shëruar, ndërsa 50 kanë humbur jetën. Kryeministri, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën se situata me virusin Korona në Kosovë “është nën kontroll të brishtë”. Ai ka paralajmëruar masa të reja dhe ka thënë se Kosova është në rrezik nga vala e dytë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
