Suedi, ushtria ndërpreu kërkimin për nëndetësen

24.10.2014 14:44

Ushtria e Suedisë thotë se e ka ndërprerë kërkimin për një nëndetëse të jashtme në ujërat afër kryeqytetit Stokholm, pas operacionit që ka zgjatur një javë.......

Ushtria e Suedisë tha sot se “kjo nënkupton se një numër i anijeve dhe i forcave amfibe janë kthyer në port”. Megjithatë, në kumtesë thuhet se një forcë e vogël do të vazhdojë të kërkojë në arkipelagun e Stokholmit.

E përditshmja suedeze, “Svenska Dagbladet”, kishte raportuar se një nëndetëse e dëmtuar ruse ishte në qendër të kërkimeve nga ushtria e Suedisë, kërkim i cili filloi më 17 tetor.

Por, Rusia tha se asnjë nëndetëse e saj nuk ishte e involvuar në atë që Suedia e kishte cilësuar si “aktivitet i jashtëm nënujor”. Zyrtarët e Suedisë nuk e kanë fajësuar asnjë vend në mënyrë konkrete për çështjen e dyshimeve për ndërhyrje në ujërat e Suedisë.