Rama në Prishtinë, reagon ashpër kundër aktakuzës ndaj Thaçit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kundërshtuar fuqishëm....

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kundërshtuar fuqishëm kundër aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Madje Rama e quajti aktakuzën si fletërrufe të ngjashme me komunikatat e revolucionit kinez, që siç tha ai kanë qenë të pranishme edhe në Shqipërinë e diktaturës. Specialja është sprovë jo vetëm për të akuzuarit, por është sprovë kombëtare për secilin për atë që flet shqip, tha Rama.
“Thelbi i shqetësimit që duhet si komb, nuk lidhet as me dy persona e nuk lidhet as me karrierën e tyre politike dhe me të mirat apo me të metat e tyre në kohë paqeje, nuk lidhet as me simpatitë, bindjet, mbështetjet apo kundërshtitë politike të natyrës zgjedhore, por lidhet me një prej vlerave me të rëndësishme që ka krijuar kombi shqiptar, që është vlera e luftës për liri të Kosovës, pjesë e së cilës në mënyrë vendimtare është ushtria Çlirimtare e Kosovës.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u bë pengesë edhe për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, tha Rama.
“Historia e kësaj Gjykate Speciale nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik që lidhet me paqen. Takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është vijim i një përpjekjeje me shumë stacione, por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së.”,- tha Rama.
Rama u shpreh i bindur se edhe pas kësaj beteje, Kosova do të ketë mundësi për t’i treguar botës se ajo ishte viktima e jo agresori gjatë luftës. Njëherit kryeministri Rama bëri të ditur se do të tërheq padinë e ngritur në gjykatën në Prishtinë ndaj ish kryeministrit, Ramush Haradinaj, për shpifje, pasi, siç tha Rama, Haradinajn e vlerëson si figurë të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Kryeministri i Shqipërisë këto komente i bëri pas vizitës dyditore në Prishtinë, ku takoi krerët shtetërorë dhe politik të Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
