Filloi panairi i parë për "Bli shtëpi, bli banesë"

24.10.2014 15:08

Në Shkup, filloi panairi i parë për projektin “Bli shtëpi, bli banesë”.........

Dhjetëra kompani ndërtimore, kanë mundësi deri më datën 28 të këtij muaji t'i njoftojnë qytetarët me kushtet dhe ofertat e tyre në tregun e patundshmërisë për projektin në fjalë.

Ata të cilët më së shumti konsultoheshin për blerje të shtëpive ishin maqedonasit, por megjithatë, matematika e tyre nuk ju del për ta siguruar çështjen e banimit.

“Jam interesuar për një banesë prej 50 metra katrorë dhe të shohim ç’farë do të bëj. Ka oferta shumë interesante”- u shpreh një qytetarë.

“Një familje normale nuk mund të blejë banesë apo shtëpi. Këtu patjetër do të duhet të kyçen edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, për të ndihmuar familjen që dëshiron ta sigurojë çështjen e banimit. Të rinjtë me të ardhura mujore nuk mund të arrijnë të blejnë banesë, andaj mendoj se ky projekt është një lojë, e cila ka për qëllim ta “shtrydhë” buxhetin tonë familjar”- tha një qytetarë.

Kompanitë ndërtimore, pjesëmarrës në këtë panair, thonë se janë të kënaqur nga shitja e deritanishme e objekteve të tyre të banimit.

“Një shtëpi prej 80 metra katrorë me projektin “Bli shtëpi, bli banesë” është 22 mijë e 400 euro. Kjo tregon qartë për interesimin e qytetarëve për këtë projekt”- deklaroi përfaqësuesi i grupacionit “Hot i Hot”, Robert Hot.

“Deri më tani kemi shitur rreth 500 banesa, prej të cilave me projektin “Bli shtëpi, bli banesë” janë diku rreth 30 për qind. Kushtet e reja të volitshme që i ofron qeveria, unë mendoj se do të rritet edhe më shumë interesimi i qytetarëve për këtë projekt”- u shpreh drejtori i Shoqatës Aksionare për Ndërtim dhe Ekonomizim të Hapësirës Banesore dhe Afariste, Cvetko Grozdanov.

Çmimi i banesave dhe shtëpive në këtë panair lëvizë në varësi të vendndodhjes së objekteve. Në përgjithësi, çmimet e banesave kushtojnë prej 750 euro e më lartë. Projekti “Bli shtëpi, bli banesë”, u promovua në janar të vitit 2012 dhe i njëjti do të vazhdojë të realizohet edhe në vitin e ardhshëm. Sipas informatave të Ministrisë së Financave, rreth 331 familje veç më e kanë zgjidhur çështjen e banimit përmes këtij projekti, i cili u ofron qytetarëve dy modele të financimit, gjysmë kësti për blerje të banesës dhe 75 për qind për ndërtim të shtëpisë. (Rexhep Qamili, TVM2)