Botë

ShBA, Trump tërheq trupat nga Gjermania

01.07.2020 11:50

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka miratuar një plan për tërheqjen e 9 mijë e 500 trupave amerikanë nga Gjermania, tha zëdhënësi i Pentagonit, Jonatan Hofman.

Hofman tha se plani mundëson “frenimin e ndikimit rus, forcimin e NATO-s, sigurimin e Aleatëve, fleksibilitetin strategjik të SHBA-së dhe të Komandës Evropiane të SHBA-së, si dhe ofron përkujdesje për anëtarët e shërbimit tonë dhe familjet e tyre”. Vendimi parasheh uljen e nivelit aktual të trupave amerikanë në Gjermani, nga rreth 34 mijë e 500 në 25 mijë.

Hofman nuk dha detaje se kur do të ndodhin tërheqjet e trupave, ose nëse ato do të vendoseshin në një vend tjetër të NATO-s, siç është Polonia. Gjatë vizitës së presidentit polak, Andrzej Duda, në Uashington, javën e kaluar, Trump tha se disa nga trupat amerikanë mund të shkojnë në Poloni. Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se disa prej trupave mund të dërgohen në vendet e Evropës Lindore - si një lloj mesazhi ndaj Moskës.

Te vendet anëtare të NATO-s janë rritur shqetësimet për një ekspansion të mundshëm rus, pasi Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme gadishullin e Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe filloi të mbështesë separatistët në një luftë, në pjesën lindore të vendit, që ka vrarë më shumë se 13 mijë njerëz. Trump në fillim të këtij muaji tha se po shkurtonte numrin e trupave në Gjermani, pasi përsëriti ankesat e tij se Berlini nuk po shpenzon sa duhet për mbrojtjen e vet dhe i trajton Shtetet e Bashkuara “keq” në tregti.