Botë

Kovid-19, rritet numri në Shqipëri dhe Kosovë

01.07.2020 17:38

Virusi Korona vazhdon të marrë jetë njerëzish edhe në Shqipëri, prej ku njoftohet për dy të vdekur...

Po ashtu janë regjistruar edhe 45 raste pozitive, ndërsa është rritur edhe numri i personave që kanë kërkuar ndihmë spitalore.                                                                                             
 
“Fatkeqësisht, një 74 vjeçare nga Shkodra dhe një 82 vjeçare nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv. Aktualisht në spitalin infektiv po trajtohen 71 pacientë, 10 prej tyre në terapi intensive, ndërsa dy janë të intubuar dhe në gjendje të rëndë. Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë kryer 269 testime për të dyshuar me Kovid-19 nga të cilët janë konfirmuar 45 raste pozitive.”,- tha Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
 
Në Kosovë informacionet e fundit flasin edhe për një të vdekur, duke e çuar në 52 numrin e përgjithshëm, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve pozitiv me virusin Korona ka arritur në 2878 persona të infektuar.
 
Derisa numri i të shëruarve arrin në 1,648 pacientë. Edhe tri infermiere të Klinikës së Pulmologjisë kanë rezultuar pozitive me virus Korona dhe janë në gjendje  stabile. 
 
Për shkak të numrit të madh të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore, në pritje të lirimit të vendeve në klinikën infektive, një pjesë e pacientëve po trajtohen edhe në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë.                                                                                                   
 
“Në klinikën tonë për momentin i kemi 34 pacientë, mirëpo prej tyre 20 janë të konfirmuar me Covid-19 dhe ata janë duke e marrë trajtimin dhe ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me Klinikën Infektive, në momentin që Klinika Infektive e bënë lirimin e vendeve, ne i transferojmë në infektive në mënyrë që të bëjmë vend për pacientët që vijnë të dyshimtë për të pritur rezultatin e tyre.”,- theksoi dr. në Klinikën e Pulmologjisë, Rukije Mehmeti.
 
Në nivel botëror numri i të infektuarve arrin në rreth 10 milion e 508 mijë persona, prej të cilëve rreth 5 milion e 383 mijë janë shëruar dhe mbi 512 mijë persona kanë vdekur. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU