Në Manastir shënohet “Dita e Kombeve të Bashkuara”

24.10.2014 15:59

Me rastin e “Ditës së Kombeve të Bashkuara”, në Manastir, në mënyrë simbolike u shënua kjo ditë, ku studentët e Fakultetit “Shën Kliment Ohridski” nëpërmjet nënshkrimeve dhanë mesazhet e tyre për paqe. Motoja e këtij manifestimi ishte ”Bota që e duam në vitin 2030”........

Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, në fjalimin e tij u shpreh se Maqedonia është pjesë e botës në paqe, solidaritet dhe me më shumë liri.

“Sot, në “Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara”, shfrytëzoj rastin para studentëve, rinisë, të flasim për ardhmërinë, e në mënyrë simbolike të japim mesazhe në kapsulën e kohës, ashtu që mesazhet që kanë të bëjnë me Maqedoninë, e që në vitin 2030 gjithsesi mendoj që Maqedonia do të jetë pjesë e familjes së madhe evropiane, pjesë e NATO-s, gjithashtu një botë e cila do të ketë më shumë barazi dhe më shumë mundësi, një botë me më shumë solidaritet dhe dashuri, një botë ku do të ketë më tepër liri dhe më tepër  paqe”- u shpreh zëvendësministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.

Përfaqësuesja e KB-së në Maqedoni, Luiza Vinton, u shpreh se familja e KB-së do të vazhdojë partneritetin me Qeverinë e Maqedonisë në sferën e arsimit, për të ardhmen e qytetarëve të saj. 

“Studentët tanë dhe moshatarët e tyre do të jenë ata që pas shumë viteve, në 2030, kur të jetë e hapur kjo kapsulë dhe do të lexohen mesazhet e tyre, do të jenë pjesë e kujtesës historike të Maqedonisë dhe botës më gjerë. Përkushtim të veçantë do të tregojmë në përmirësimin e cilësisë së arsimit, uljen e dhunës në familje, punësimin dhe avancimin e statusit të femrave, si dhe ndryshimet klimatike, që është sfidë për gjithë rruzullin tokësor”- tha përfaqësuesja e KB-së në Maqedoni, Luiza Vinton.

Republika e Maqedonisë është anëtare e plotfuqishme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe respekton vendimet që dalin nga kjo organizatë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)