Për Trampin është i rremë raporti për pagesat ruse për talebanët
Presidenti amerikan Donald Tramp sot i cilësoi si “të rreme” raportet se Rusia ka bërë përpjekje për t’i paguar luftëtarët talebanë...

Presidenti amerikan Donald Tramp sot i cilësoi si “të rreme” raportet se Rusia ka bërë përpjekje për t’i paguar luftëtarët talebanë për vrasjet e trupave amerikane dhe forcave të koalicionit në Afganistan, madje edhe kur administrata e tij vazhdon t’i informojë anëtarët e Kongresit për këtë çështje.
“Historia e pagesës ruse të shpërblimeve është vetëm një histori nga radhët e lajmeve të rreme, të vendosura vetëm për të me dëmtuar mua dhe Partinë Republikane. Burimi i fshehtë me siguri nuk ekziston, ashtu si edhe vet historia. Nëse Nju-Jork Tajmsi i diskredituar ka burim, le ta zbulojë”, ka shkruar Tramp sot në Tuiter.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë sot përsëri e mbrojti Trampin, duke pretenduar se ai aspak nuk ishte i informuar për këtë çështje. Më parë, Nju-Jork Tajms, duke iu referuar një zyrtari anonim amerikan, publikoi se Tramp ishte i informuar për përpjekjet e Rusisë gjatë pranverës.
Vlerësimi që Rusia po i paguante luftëtarët talebanë, sipas burimit u mbështet nga “disa copë informacione” që e mbështesin pikëpamjen se ekzistonte një përpjekje nga njësia e inteligjencës ruse – GRU – të paguante shpërblim për vrasjen e ushtarëve amerikanë.
Burimi tha se informacionet gjithashtu janë marrë edhe nga marrja në pyetje e të burgosurve talebanë dhe përgjimet elektronike.
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brajan deklaroi sot se presidenti amerikan Donald Tramp tani është plotësisht i njohur me raportin mbi përpjekjet e Rusisë për t’i paguar talebanët për të vrarë trupa amerikanë në Afganistan.
Ai refuzoi të thotë nëse Trampit më parë i janë dhanë informata të tilla zbuluese apo ai qëllimisht i injoronte./mia
