USHT: Promovohet libri i shkrimtarit Virgjil Kule, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kryqtari i fundit”
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i fundit”, është vepra e autorit nga Shqipëria, Virgjil Kule, që sot u promovua në Universitetin Shtetëror të Tetovës.......

Nxjerrja në dritë e kësaj vepre e bën të mundur njohjen më të thuktë të veprimtarisë patriotike dhe historike të Skënderbeut.
“Libri i autorit, Virgjil Kule, sjell fakte të reja mbi Skënderbeun, si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak, i pakrahasueshëm me mbretërit dhe me princërit tjerë të kohës. Në këtë shekull të modernizmit, përparimit dhe integrimit perëndimor, shoqëria jonë në Ballkan dhe jo vetëm, do t’i bënte vetes një shërbim historik, vetëm atëherë kur në vend të harresës, injorimit dhe fshehjes së fakteve, do t’i hapte rrugë studimit të mirëfilltë”- deklaroi rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.
“Skënderbeu, më shumë se gjeneral i famshëm i kohës së tij, është lider pragmatik, burrështetas i zgjuar, njohës i shkëlqyeshëm i politikës globale të kohës dhe i strategjive të pushtuesve, që synonin dominimin mbi tokat tona”- tha doc. dr. Fatmir Sulejmani.
“Falë përvojës së gjatë publicistike, ky autor e gjen një mënyrë tejet intriguese për këtë trajtesë tematike. Për të dalë te qëllimi autorial, ai e shfrytëzon si pikënisje përshkrimore, deri në zbërthimet detajore, të shenjuarit e një simboli domethënës siç ishte gravura osmane që ndodhet në muzeun e Topkapisë, përmes së cilës zbërthehet praktika politike e devotshmërisë, që na shpie diku në një qytet të papërcaktuar të Ballkanit, me popullsi të krishterë”- deklaroi doc. dr. Zeqirja Rexhepi.
Vetë autori i librit thotë se libri ka për qëllim që t’i pasqyrojë të gjitha dokumentacionet të cilat flasin për Skënderbeun.
“Këtu kemi të bëjmë me kontekst luftarak, organizim ushtarak të kohës. NATO-ja e sotme dikur quhej kryqëzatë, ashtu sikurse traktati i Varshavës që ka qenë para 20 e ca vjetëve dhe në atë kohë quhej kryqëzatë dhe udhëheqësit e asaj kryqëzate quheshin kryqtarë dhe nuk është konotacioni fetar këtu që dominon”- u shpreh autori i librit, Virgjil Kule.
Në përurimin e kësaj vepre, i pranishëm ishte edhe publicisti nga Kosova, prof. dr. Nusret Pllana, si dhe studentë dhe profesorët e USHT-së. (Miftar Emini, TVM2)
