Gazetarët: Vendimi i UEFA-s inkurajon tifozët për dhunë

24.10.2014 17:16

Vendimi i UEFA-s për të penalizuar Shqipërinë për ndeshjen e ndërprerë me Serbinë, duke i dhënë Serbisë fitoren 3-0, është tronditës dhe absurd për të gjithë dhe hedh poshtë të gjitha propagandat anti-dhunë dhe anti-nacionaliste që janë në rregulloren e vetë UEFA-s.......

Kështu vlerëson Reshat Ibrahimi, gazetar sportiv dhe njohës i rrethanave të sportit.

“Nuk u zbatua rregullorja e UEFA-s, sepse të gjithë tash e dinë se çka ka ndodhur në 14 tetor në stadiumin e “Partizanit” në Beograd kur lojtarët shqiptarë u rrahën. Është një vendim i çuditshëm, që i bën të pavlefshme të gjitha fushatat që jep UEFA për t’i dhënë fund, stop dhunës, stop racizmit, stop nacionalizmit”- u shpreh gazetari i sportit, Reshat Ibrahimi.

Gazetari Ibrahimi, shprehet se vendimi i këtillë i UEFA-s tash mund të inkurajojë tifozët që të vazhdojnë të shpërndajnë parulla dhe brohoritje me baza nacionaliste, por të shprehin edhe dhunë nëpër terrenet sportive.

“Unë mendoj se tashmë tifozët, kudo që ndodhen, do të vazhdojnë të brohorasin dhe për fat të keq ne shqiptarët do të pësojmë edhe më keq, e kam fjalën për në Maqedoni. Sa herë që janë takuar dy reprezentacione, por edhe kur nuk kanë luajtur shqiptarët, tifozët maqedonas i kanë fyer shqiptarët dhe kjo edhe më tej do të vazhdojë. Kush mund të thotë që nesër nuk do të vazhdohet me brohoritje të llojit “vritni shqiptarët”, siç ndodhi edhe në Beograd, por siç ndodhi të mërkurën edhe në ndeshjen e kupës së Maqedonisë në Shkup mes Vardarit dhe Shkëndijës”- tha Ibrahimi.

Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s ka penalizuar Shqipërinë për ndeshjen e ndërprerë me Serbinë, duke i dhënë asaj fitoren 3-0. Nga ana tjetër, është marrë vendim që Serbisë t’i hiqen tre pikë dhe të dënohet me 100 mijë euro dhe dy ndeshje pa tifozë. (Mefail Ismaili, TVM2)