Botë

Zjarret në Amazonë shënuan rekord në qershor

02.07.2020 21:05

Zjarret në pyjet e Amazonës në Brazil janë intensifikuar për 20 për qind më shumë në qershor...

Zjarret në pyjet e Amazonës në Brazil janë intensifikuar për 20 për qind më shumë në qershor, që është rekordi më i lartë brenda një muaji tash e 13 vjet.
 
Instituti Kombëtar për Kërkime në Hapësirë tha se ka regjistruar 2,248 zjarre, në krahasim me 1,880 të tilla në qershor të vitit 2019.
 
Një intensitet i tillë në fillim të sezonit të thatësirave ka rritur shqetësimet se zjarret e këtij viti mund t’i tejkalojnë flakët katastrofale të vitit 2019.
 
Sipas aktivistëve, kriza e koronavirusit e përkeqëson problemin.
 
Ata besojnë se zjarrvënia ka të ngjarë të kontrollohet më pak, pasi autoritetet janë të preokupuara me pandeminë.
 
Shumë zjarre në Brazil ndizen qëllimisht - disa prej tyre nga fermerët që duan ta pastrojnë shpejt tokën.
 
"Ne nuk mund të lejojmë që situata e vitit 2019 të përsëritet vetvetiu", tha Mauricio Voivodic, drejtor ekzekutiv i OJQ-së “World Wildlife Fund” në Brazil.
 
Zjarret e vitit të kaluar kanë arritur kulmin në gusht, kur janë regjistruar mbi 30,900 sosh - apo trefishi i numrit në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
 
Brazili, pas Shteteve të Bashkuara, ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi: mbi 60,600.
 
Amazona - e cila shtrihet në shumë vende të Amerikës së Jugut, por 60% ndodhet në Brazil - krijon rezerva jetike të karbonit, i cili ngadalëson ritmin e ngrohjes globale./evropaelire