Ministri Izairi, inspekton punët e ujësjellësit të Zajazit

24.10.2014 17:27

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, sot inspektoi punimet që po zhvillohen në rrjetin e ujësjellësit të Zajazit.....

Ministri Izairi, vlerësoi se ky projekt, që kap shumën prej 59 milionë denarë, do të përfundojë në afatin e planifikuar.

Projekti për furnizimin me ujë të pijshëm të katër fshatrave të Zajazit është një investim qeveritar, që do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatrat e ish-Komunës së Zajazit.

Punët ndërtimore që po zhvillohen në linjën prej 4.3 kilometrash, rrjedhin normalisht, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, gjatë inspektimit të punëve në rrjetin prej 1.6 kilometrash, ku është shtruar edhe tubacioni i ujit që do të furnizojë pjesën veri-perëndimore të Zajazit.

Ministri Izairi, në këtë vizitë të punimeve u shoqërua nga kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili e falënderoi ministrin për mbështetjen që ai i jep këtij projekti shumë të rëndësishëm për fshatrat e Zajazit, i cili mundëson furnizimin me ujë të pijshëm për 4 mijë e 500 banorët e kësaj ane dhe shtoi se komuna tashmë ka hartuar projektin e rrjetit sekondar në vendbanimet që përfshihen në këtë projekt.

Furnizimi i kësaj pjese të Zajazit me ujë të pijshëm do të bëhet nga dy rezervuarë, që akumulojnë 200 metër kub ujë, ndërsa sipas planifikimit, ky projekt duhet të përfundojë vitin që vjen. Rrjeti aktual i ujësjellësit të Zajazit është në një gjendje katastrofike dhe realizimi i këtij projekti do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet e furnizimit me ujë në fshatrat e kësaj ane. (Shaban Dalipi, TVM2)