Presidenca po e analizon kërkesën e LAN-it

24.10.2014 17:40

Zyra e presidentës së Kosovës ka pranuar kërkesën e subjekteve politike të bllokut të përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, për sqarimin e situatës politike në vend.........

Blloku i partive LAN, ka kërkuar nga pesidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese sqarim rreth aktgjykimit të saj, se a kanë të drejtë edhe partitë tjera ta propozojnë kryetarin e kuvendit. Kjo për shkak se Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, nuk po arrin ta sigurojë shumicën në kuvend.

Zëdhënësi dhe shefi i stafit në kabinetin e presidentes, Arbër Vllahiu, i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” se kërkesa ka arritur në zyrën e presidentes, por ende nuk ka ndonjë përgjigje lidhur me të.

“Kërkesa është pranuar në zyrën e presidentes së Kosovës dhe ajo po e analizon atë. Opinioni publik do të jetë i njoftuar së shpejti me përgjigjen”- ka thënë Vllahiu.

Kërkesa e bllokut LAN ka të bëjë me sqarimin e pikës 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth postit të kryetarit të Kuvendit.