Fushatë për të luftuar dhe parandaluar kancerin e gjirit

24.10.2014 17:50

Vazhdon fushata sensibilizuese kundër kancerit të gjirit e organizuar nga studentët e mjekësisë nëpër universitetet e Maqedonisë.....

Informimi i publikut, sidomos i grave në veçanti, është një ndër sektorët më të rëndësishëm, i cili ka çuar në diagnostikimin e hershem të kancerit dhe që ka rezultuar me shërim të plotë tek pjesa më e madhe e të prekurve nga kjo sëmundje.

“Qëllimi i kësaj kampanje është që të vetëdijesohet popullata rreth kësaj sëmundje, konkretisht rreth kancerit të gjirit. Për ne është shumë e rëndësishme të dinë se çka konkretisht është kanceri i gjirit dhe cilat janë stadet, pasi si studentë të mjekësisë e dimë që stadet e para janë të shërueshme, pacientët mund të arrijnë shërim të plotë, prandaj deshëm ta informojmë popullatën”- u shpreh studentja e Fakultetit të Mjekësisë në USHT, Rejhane Bajrami.

“Kanceri i gjirit është kancer i cili mund të detektohet që në fazën e hershme. Gjiri, si organ është i jashtëm dhe mund të preket e palpuohet. Karcinomi i gjirit kalon në katër stadiume, i pari dhe i dyti, ku manifestohet vetëm me një grutkë. Shumë lehtë mund të diagnostikohet me vetëkontrollimin e gjinjve”- tha studentja në Fakultetin e Mjekësisë “Shën Cirili dhe Metodi”, Elmedia Asani.

Muaji tetor është “Muaji i luftës kundër kancerit të gjirit”, prandaj kjo fushatë vazhdon të realizohet edhe ditëve në vijim, e mbështetur nga Fondacioni “Dauti” dhe “EMMSA” (Asociacioni i studentëve të mjekësisë).

“Ftojmë të gjitha gratë, nënat, motrat, të gjithë ata që janë të interesuar të vijnë në ligjëratën, ose në tribunën e hapur, e cila organizohet në Qendrën “Fidani”, ditën e mërkurë, prej ora 5. Në ligjëratë marrin pjesë studentët nga Fakulteti i Mjekësisë, mirëpo do të jetë edhe dr. Lule Zhuta, gjinekologe dhe do t’i njofton të gjitha gratë për këtë sëmundje”- deklaroi studentja në Fakultetin e Mjekësisë “Shën Cirili dhe Metodi”, Elmedia Asani.

Kjo sëmundje, sipas statistikave të fundit, nuk njeh moshë. Derisa para disa vitesh rastet e prekura nga ky lloj i kancerit ishin mbi moshën 45 vjeç, për çka ishin paraparë edhe kontrolle të obligueshme, sot është ndryshe.

Grupmoshat janë zvogëluar dhe vajza më e re në vend e prekur nga kjo sëmundje është vetëm 17 vjeçe. Zbulimi i hershëm i kancerit në gji do të thotë shërim, mos e lejo veten të jesh pjesë e statistikave! (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)