Kosovë, prej mbrëmë 4 të vdekur nga Covid-19, Shqipëri, dy të vdekur e 74 të infektuar
Në Kosovë ka arritur në 70 numri i të vdekurve me COVID-19....

Në Kosovë ka arritur në 70 numri i të vdekurve me COVID-19, pasi të shtunën u njoftua për 6 të vdekur, ndërsa gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës kanë ndërruar jetë edhe 4 persona.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar të shtunën për 178 raste pozitive. Sipas institutit, numri total i rasteve pozitive është 3.356, derisa raste aktive janë 1.416.
Pas rritjes së numrit të vdekjeve dhe të infektuarve, Qeveria e Kosovës në koordinim me drejtuesit e institucioneve shëndetësore ka përgatitur një plan veprimi, që parasheh edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, në komunat ku ka më shumë të prekur me COVID-19.
“Në qytetet ku ka numër të madh të infektimeve, duke filluar nga sonte, në Prishtinë, Ferizaj, Prizren Vushtrri, do të kufizojnë plotësisht lëvizjen nga ora 21:00, deri në orën 05:00, të mëngjesit.”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti.
Viktima dhe rritje e numrit të personave të infektuar edhe në Shqipëri. Dy të vdekur, 74 të infektuar dhe 20 të shëruar, është bilanci i 24 orëve të fundit në Shqipëri sa I përket virusit korona. Autoritetet shëndetësore njoftojnë për 89 pacient të cilët aktualisht ndodhen në trajtim spitalor.
“Dy qytetar nga Tirana 67 dhe 69 vjeç e kanë humbur betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit. Aktualisht janë 89 pacient në Spital, 11 prej të cilëve në gjendje të rëndë në terapi intensive, një prej tyre i intubuar në gjendje të rëndë. Në 24 orët e fundit janë kryer 392 testime për Kovid-19 nga të cilët janë konfirmuar pozitiv 74 raste. Në vendin tonë janë aktualisht 1160 persona aktiv me Kovid-19.”,- theksoi Marjeta Dervishi nga ISHP – Shqipëri.
Serbi, gjendje e jashtëzakonshme në dhjetë qytete
Për shkak të rritjes së rasteve me virusin korona në dhjetë qytete të Serbisë përfshi edhe Beogradin është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 325 raste të reja ndërsa 8 persona kanë ndërruar jetë. Ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve në Serbi ka shkuar në 15 mijë e 829 persona, prej të cilëve 306 kanë humbur jetën.
Në nivel botëror deri tani numri i të infektuarve ka arritur në 11 milion e 304 mijë e 534 persona, prej të cilëve mbi 6 milion e 111 mijë janë shëruar ndërsa 531 mijë e 659 persona kanë humbur jetën. (Gyltene Sinani, TVM2)
