Botë
Kosovë, Prokuroria heton vdekjet e dyshimta në QKUK
06.07.2020 14:07
Departamenti i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës...

Departamenti i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për vdekjet e pacientëve me COVID-19, që ndodhën në orët e para të së dielës në Klinikën Infektive. Në raportin policor thuhet se “me vendimin e prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se të dielën ka regjistruar nëntë të vdekur me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës të dielën përmes një komunikate për media, kanë thënë se për shkak të shtimit të numrit të vdekjeve brenda një afati të shkurtër kohor, janë ngritur dyshime lidhur me natyrën e vdekjes së këtyre pacientëve.Familjarët e personave të vdekur, dyshojnë se të sëmurëve nuk u është dhënë ndihma e duhur mjekësore.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, pas vdekjeve të dyshimta në QKUK, kërkoi dorëheqjen e kreut të këtij institucioni, Basri Sejdiut. Numri i të vdekurve në Kosovë nga virusi korona ka arritur në 75. Të dielën, IKSHPK-ja njoftoi se viktimat kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese, por nuk dha më shumë detaje.
ZEKIRJA MEXHITI
