Botë
Covid 19, ritëm i lartë infektimesh në Ballkanin Perëndimor
06.07.2020 14:23
Virusi korona ka shtuar ritmet e infektimit ditët e fundit, thuajse në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor...

Në Malin e Zi, ku deri një javë më parë nuk kishte infektime të reja prej disa ditësh, në 24 orët e fundit shifra ka arritur në 61. Aktualisht atje ka 452 raste aktive infektimesh. Autoritetet malazeze po shqyrtojnë mundësinë e rikthimit të karantinës në Podgoricë. Serbia ka vendosur karantinë në disa qytete në veri të vendit. Atje në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 5 persona, ndërsa 302 të tjerë rezultojnë të infektuar. Bëhet fjalë për shifrat më të larta të ditëve të fundit. Pas shtimit të rasteve të infektimeve, Greqia mbylli përkohësisht kufijtë për Serbinë deri në normalizimin e situatës.
Shtim të ndjeshëm të rasteve të infektimeve ka pasur edhe në Kroaci, ku në 7 ditët e fundit numri i të prekurve është rritur me mbi 200% krahasuar me një javë më parë. Ekspertët thonë se shkak janë bërë grumbullimet si për fushatën zgjedhore po ashtu edhe dyndjet në plazhe.
Zvicra është një tjetër vend që mbyll kufijtë me vendet e rajonit. Shtetet e Bashkuara renditen aktualisht mes vatrave më të nxehta të COVID-19 në botë, ku infektimet ditore prej disa ditësh nuk bien poshtë 40 mijëshit. Në gjithë globin përllogariten mbi 11.5 milionë të prekur, mes të cilëve gjysmë milioni kanë ndërruar jetë.
