Maqedoni
Ohër, filloi rrënimi i hotelit të ndërtuar pa leje
06.07.2020 17:03
Në Ohër ka filluar rrënimi i një hoteli që gjendet në bregun e liqenit...

Në Ohër ka filluar rrënimi i një hoteli që gjendet në bregun e liqenit. Rrënimi i hotelit është pjesë e aksionit që po zhvillohet në Ohër dhe Strugë ndaj objekteve përgjatë bregut të liqenit të ndërtuara pa leje dhe në mënyrë ilegale.
"Objektet që janë legalizuar 50 metra larg zones së mbrojtjes, nuk futen në planin urbanistik, meqë në pajtim me ligjin për legalizim lejohet legalizimi 50 metra larg kësaj zone. Të gjitha ato i kontrollojmë për shkak se kemi raste kur një objekt prej 50 m2, nuk është legalizuar megjithatë janë kryer mbindërtime si për shembull edhe 200 m2 , gjithçka që është mbindërtuar ilegalisht do ta largojmë. Ajo që është e legalizuar, tani për tani nuk mund të largohet.", Konstantin Georgievski kryetar i komunës së Ohrit
Rrënimi i objekteve të ndërtuara pa leje, është në pajtim me planin për menaxhim me rajonin e Ohrit si kërkesë e reagimit të UNESKO-s, me qëllim të ruajtjes së statusit të trashëgimisë botërore natyrore e kulturore që ka ky rajon. Ka tashmë disa javë që po rrënohen objektet pa leje në bregun e liqenit në Ohër. Nga Ministria e Transportit thonë se do rrënohen edhe objektet në Strugë sepse ligji duhet të vlejë njësoj në të gjitha komunat. Ftojnë komunat dhe inspektoriatin shtetëror të veprojnë në bazë të vendimeve pa marrë parasysh për kë komunë bëhet fjalë.
ADNAN HAJDARI
