Botë

Liberalizimi i vizave për Kosovën, Grenell: Çështja mbyllet në Samitin e Parisit

08.07.2020 10:25

Richard Grenell, përfaqësuesi i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi...

Richard Grenell, përfaqësuesi i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, sërish ka folur për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rëndësinë e liberalizimit të vizave.
 
Në një postim në Tuitter, Grenell ka shkruar se është i kënaqur të shohë se evropianët po organizojnë video-Samitin e Parisit dhe takimin e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
 
“Ne jemi të kënaqur të shohim që evropianët do të mblidhen për të vazhduar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë.”, shkruan Grenell.
 
Më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një takim që nikoqir ka shefin për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell.
 
Takimi midis Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, nuk u mbajt, pasi pak ditë para tij Zyra e Prokurorit Special në Hagë, njoftoi se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Pas paraqitjes së aktakuzës, Thaçi anuloi pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë, pas tij edhe Hoti. Grenell, i cili ka qenë organizator i atij takimi, ka paralajmëruar se do të riorganizojë një tjetër së shpejti.
 
Takimi në Bruksel do të jetë i pari midis Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, që në fund të vitit 2018. Atëherë, dialogu u ndërpre për shkak të taksës që Kosova I vuri  prodhimeve të Serbisë. Autoritetet në Kosovë tani i kanë hequr barrierat tregëtare me Serbinë.