Kosovë, parandalimi i pandemisë Covid-19, qeveria Hoti nuk e miratoi nismën e Kuvendit
Qeveria Hoti, nuk ka miratuar nismën legjislative të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19....

Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, ka paraqitur qëndrimin e Qeverisë sa i përket këtij Projekt-ligji, duke theksuar se Qeveria e konsideron të panevojshëm miratimin e tij.
“Sipas procedurave përkatëse, të gjitha ministritë kompetente kanë përcjellë opinionet e tyre sipas fushë-veprimit të tyre. Në këtë rast, Qeveria e Kosovës vlerëson se nuk e mbështet nismën legjislative të iniciuar nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës për rregullim të ri ligjor, përmes të cilit bëhet kufizimi i disa prej lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë. E vlerëson të panevojshëm miratimin e Projekt-ligjit për parandalimin ose luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës, me arsyetimin se ligjet e aplikueshme në Kosovë e rregullojnë mjaftueshëm fushën e luftimit dhe parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë”,- ka thënë Selmanaj.
Selmanaj ka kërkuar që të miratohet mendimi i Qeverisë sa i përket këtij Projekt-ligji, ku me shumicë votash ky mendim u aprovua nga anëtarët e kabinetit qeveritar.
