Fiorentina ndal Milanin, derbi për Lionin, Atletiko kap formën, Mario vendos

27.10.2014 15:13

Skuadra e Pippo Inzaghit, Milan, është ndalur me barazim në San Siro mbrëmë nga Fiorentina e Vicenzo Montellas.......

Mysafirët nga Firenca kanë barazuar në pjesë të dytë për të anuluar epërsinë e arritur të Rossonerëve nga holandezi Nigel De Jong.

Ka qenë slloveni Josip Ilicic që ka barazuar për mysafirët, duke ndalur serinë e fitoreve të Inzaghit. Ilicic hyri si zëvendësues në lojë dhe pas 10 minutave në fushë barazoi rezultatin.

Në fund, Fiorentina u duk pak më kërkuese për fitore, derisa Milan, përkundër se provonte nga ndonjë kundërsulm, nuk arrinte të gjente portën e Netos me Fernando Torresin që ishte freskët, pasi u  fut në 10 minutëshin e fundit të lojës.    Skuadra e Diego Simeones, Atletico Madrid, po vazhdon me formë të mirë në La Liga.

Tashmë ata në gjashtë ndeshjet e fundit kanë vetëm një disfatë, derisa sonte mposhtën Getafen vendase në Alfonso Perez me rezultat minimal 0-1. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi sulmuesi kroat i ardhur këtë verë te kampionja e Spanjës, Mario Mandzukic, që u asistua nga turku, Arda Turan, duke shënuar golin e vetëm dhe të fitores për Rojiblancot. Fitorja në fjalë, e ngrit Atletico Madridin në pozitë të pestë të tabelës dhe me vetëm dy pikë më pak se liderja Barcelona.

Në derbin e dy skuadrave olimpike të elitës françeze, fitues dolën vendasit në Stade de Gerland mbrëmë.

Ka qenë mesfushori Yoann Gourcuff që shfrytëzoi bukur një kundërsulm të lionezëve, për të thyer në bel dy mbrojtës kundërshtarë, e pastaj shutoi lartë në rrjetë të Steve Mandandas për 1-0.

Lyon me këtë fitore u ngrit për katër vende në tabelë dhe tashmë ka regjistruar fitoren e gjashtë në Ligue 1. Në anën tjetër, Olympique Marseille tregoi se pse është lider i Ligue 1. Ekipi i Marcelo Bielsas nuk ndalej së kërkuari, mirëpo mbrëmë në formë të jashtëzakonshme ka qenë portieri Anthony Lopes i Lyonit, që mbronte gjithçka.