Botë

Tërhiqet Vuçiç, “anulon” planin për vendosjen e orës policore

09.07.2020 12:11

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, u tërhoq nga plani për të zbatuar një bllokim të dytë mes rritjes së rasteve të virusit Korona, pasi protestuesit mbushën rrugët e Beogradit....

Vuçiç, kishte njoftuar të martën se masat e reja të bllokimit do të rivendoseshin më vonë gjatë javës, duke bërë që demonstruesit të mblidheshin para parlamentit me disa brohoritje “Dorëheqje! Dorëheqje!”. Protestat filluan të martën dhe vazhduan të nesërmen me disa njerëz të lënduar jashtë parlamentit, ndërsa shpërthyen përleshjet midis grupeve të protestuesve dhe policisë, të cilët përdorën edhe gazin lotsjellës. Por, Vuçiç tha të mërkurën se pa një gjendje të jashtëzakonshme, ai nuk do të jetë në gjendje të zbatojë një orë policore. Ai tha se ekipi i vendit, kryeministri dhe ministri i shëndetësisë, “ndoshta do të vendosin masa më të ashpra, por pa futur një orë policore”.

Shefi i epidemiologjisë të vendit, Predrag Kon, i tha kanalit kabllor të lajmeve N1 të Serbisë, më herët, gjatë ditës, se protestat treguan se si njerëzit ndjeheshin për bllokimin. Disa njerëz kishin provuar të sulmonin ndërtesën e parlamentit, duke arritur shkurtimisht të hynin, por u detyruan nga policia të largoheshin. Vuçiç e quajti situatën në lidhje me virusin në Beograd si “alarmante” dhe “kritike”. Të paktën 357 raste të reja COVID-19 u konfirmuan në 24 orë në Serbi të martën dhe 11 njerëz të vdekur. Gjithsej numri i rasteve te infektuara me virusin ka arritur në 17 mijë e 76 dhe 341 persona kanë vdekur.