Botë
Shtohen shqetësueshëm rastet në Kosovë, qeveria refuzon nismën legjislative anti Covid
09.07.2020 14:39
Në Kosovë po rriten shqetësueshëm shifrat Covid. Të mërkurën u regjistruan 4 viktima dhe 214 raste të reja....
Në Kosovë po rriten shqetësueshëm shifrat Covid. Të mërkurën u regjistruan 4 viktima dhe 214 raste të reja. Por, me gjithë shtimin e numrave, Qeveria e vlerëson të panevojshëm miratimin e nismës legjislative të iniciuar nga Kuvendi për parandalimin e pandemisë. Projektligji ishte kërkuar të hartohej që kur Gjykata Kushtetuese i hodhi poshtë vendimet e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes së qytetarëve.
“Çështjet që synon t’i adresojë kjo nisëm legjislative, do të përfshihen në kuadër të projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë që shumë shpejt do finalizohet nga Ministria e Financave dhe pas miratimit në Qeveri do t’i dërgohet Kuvendit. Qeveria e vlerëson të panevojshëm miratimin e Projektligjit për parandalimin ose luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës, me arsyetimin se ligjet e aplikueshme në Kosovë e rregullojnë mjaftueshëm fushën e luftimit dhe parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë.",- tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj.
Nga Komisioni për Shëndetësi thonë se vendi është vonuar në hartimin e këtij ligji.
“Jam e shqetësuar me aftësinë e partive politike që të mos jenë të vetëdijshëm për situatën me shëndetin publik dhe në këtë fazë të rrisin egot apo inatet politike edhe në ligjin për pandeminë.”,- u shpreh kryesuesja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj.
Kosova ndërkohë e quan të padrejtë vendimin e Maqedonisë së Veriut për paraqitjen e testit PCR jo më të vjetër se 72 orë për qytetarët e Kosovës dhe tre vendeve të tjera që hyjnë në RMV.
Covid 19, 82 raste të reja, 41 të shëruar në Shqipëri
Situatë shqetësuese edhe në Shqipëri ku ka rritje të numrit të të hospitalizuarve. Atje u regjistruan 82 raste të reja nga 401 testime.
“Aktualisht janë 84 pacientë në spital, 11 në terapi intensive në gjendje serioze 6 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë... Janë konfirmuar 82 raste pozitive.”,- u shpreh drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami.
Covid-19, mbi 12 milionë të infektuar në botë
Në botë aktualisht ka Mbi 12 milionë të infektuar. Një e katërta e tyre në Shtetet e Bashkuara ku ka më shumë se 3 milionë raste dhe rreth 132 mijë vdekje. Në Brazil, ka 1.7 milion të infektuar, në Indi 742.000. Meksika njoftoi për 6.995 rastesh të reja duke e kapërcyer Spanjën më shumë se 275.000 të infektuar dhe 32.796 të vdekur në total. Në Australi, 5 milionë njerëz janë izoluar në Melburn për gjashtë javë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
MIGENA GORENCA
