Verën e ardhshme, një biletë për të gjithë autobusët e qytetit

27.10.2014 16:08

Për më pak se një vit, nëpër të gjithë autobusët privat dhe shtetëror do të mund të udhëtohet me bileta elektronike, duke shkuar në destinacionin e duhur pa pritur shumë kohë në stacion...........

Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike të Transportit dhe Kompaninë Celulare T–Mobile, prezantuan projektin  e ri të  shumëpritur për vendosjen e sistemit automatik për vëzhgimin e të gjithë autobusëve dhe sistemin për pagesë elektronike në transportin publik.

Numri i autobusëve të cilët do të punojnë me këtë metodë  do të arrijë në 500. Qëllimi kryesor i këtij projekti është që të ndalohen njëherë e përgjithmonë pritjet e gjata nëpër stacionet e tyre dhe të rritet numri i biletave të shitura. Rimbushja e biletave elektronike në fillim do të bëhet nëpër kioskat e NPQ-së, ndërsa më pas përmes celularëve.

“Jemi duke e përgatitur sistemin e ri automatik të autobusëve, ku punonjësit e NPQ-së në monitorë të mëdhenj do t’i ndjekin të gjithë autobusët a janë në linjë, sa ata janë të saktë nëpër stacionet e autobusëve dhe të shihet se sa  punëtorët tanë iu ofrojnë qytetarëve shërbimet e duhura”- deklaroi drejtori  i NPQ-së, Misho Nikollov.

“Kontributi ynë si kompani është që qytetarët të mos blejnë bileta elektronike vetëm nëpër kioskat e NPQ-së, por ato të  mund t’i rimbushin edhe përmes telefonit dhe nëpër të gjitha pikat e T-Mobile”- tha Zharko Llukovski nga T- Mobile.

Për t’i dhënë fund garës ndërmjet transportuesve privat dhe atyre shtetëror, Qyteti i Shkupit ka vendosur t’i mbledhë të gjitha të ardhurat e biletave elektronike dhe më pas t’i paguajë kompanitë transportuese për çdo kilometër të kaluar në trafik.

“ Si Qytet i Shkupit kemi vendosur që t’i mbledhim të ardhurat nga biletat e shitura, nga të gjithë transportuesit. Kjo do të thotë se Qyteti i Shkupit do t’u paguajë  kompanive  transportuese, Ndërmarrjes Publike të Transportit dhe transportuesve privat për çdo një kilometër të kaluar në trafik pavarësisht numrit të udhëtarëve që kanë. Me këtë risi nuk është e rëndësishme se sa udhëtarë kanë autobusët privat apo ata të NPQ-së, sepse ata do të paguhen sipas kilometrit të  kaluar”- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Projekti i paralajmëruar do të realizohet brenda 10 muajve të ardhshëm dhe i njëjti arrin vlerën prej 3 milionë euro. (Rexhep Qamili, TVM2)