Arrestohen 3 persona që përfitonin si drejtorë të ministrisë

27.10.2014 16:43

Policia ka vënë nën pranga 3 nga 6 të dyshuarit për veprën penale “mashtrim” dhe veprën penale “ndihmesë gjatë mashtrimit”.......

Nga MPB-ja njoftojnë se një strugan, për të marrë koncesion për transportin e udhëtarëve në relacionin Strugë-Alsburg, është dashur të paguaj ryshfet prej 10 mijë euro. Aq para i kanë kërkuar një grup mashtruesish, të cilët i janë paraqitur struganit si të punësuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.

Grupi gjashtë anëtarësh nga Shkupi dhe Tetova, duke i përcjellë konkurset e Ministrisë së Transportit, kanë zhvilluar plan se si të pasurohen, duke dhënë koncesionet e tyre të rreme.

“Behet fjalë për rastin i cili daton nga fillimi i muajit. Konkretisht më 1 tetor, Ministria e Transportit dhe lidhjeve ka shpallur konkurs për shpërndarjen e linjave të autobusëve dhe në mesin e atyre që kanë konkurruar është edhe i dëmtuari, i cili, pasi nuk i ka plotësuar kushtet e konkursit, mashtruesi i është paraqitur dhe i ka kërkuar 10 mijë euro që t’i japin koncesionet e rreme”- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Kotevski, sqaron se të dyshuarit kanë falsifikuar dokumentet sikur të ishin zyrtarë të ministrisë dhe kështu kanë arritur t’u marrin atyre shuma të majme të hollash dhe në kundërshtim t’u japin dokumente false, me orarin e vozitjes që ata kanë kërkuar. Tek të dyshuarit janë gjetur edhe një shumë e konsiderueshme e parave. (Sanije Kasami, TVM2)