Botë
Samiti i Parisit mbyllet pa rezultat, Kosova dhe Serbia nuk “lëshojnë pe”
10.07.2020 18:00
Pas bisedimeve të vështira në samitin virtual të Parisit që u mbajt këtë të premte...

Pas bisedimeve të vështira në samitin virtual të Parisit që u mbajt këtë të premte, përballja Vucic-Hoti është shtyrë dhe pritet të mbahet më 16 korrik.
Por palët do të përpiqen të përafrojnë qëndrimet në një tjetër samit virtual që do të mbahet këtë të dielë.Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka kërkuar edhe njëherë liderve më të mëdhenj europianë liberalizimin e vizave ndërsa për dialogun ka nënvizuar se nuk ka tjetër alternativë, por procesi duhet të ketë afate të qarta kohore.
“Ne mbetemi të përkushtuar për një proces paqësor të normalizimit të marrëdhënieve tona, i cili mund të arrihet vetëm nëse Kosova dhe Serbia respektojnë shtetësinë e njëri-tjetrit. Ne besojmë me vendosmëri se dialogu duhet të ndjekë një afat kohor dhe kornizë të qartë të vlerave themelore dhe parimeve që duhen respektuar, në përputhje me perspektivën europiane të të dy vendeve”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti ka theksuar se Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm dhe Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes duhet të rezultojë në njohje reciproke.
Rezultati i kësaj marrëveshjeje sipas Hotit, duhet të jetë gjithashtu detyrimi i BE për të përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e mbetura të unionit.
Hoti kushtëzon normalizimin e marrëdhënieve me anëtarësimin në OKB si dhe vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës. Por presidenti serb, Alexandër Vucic ka deklaruar se nuk do të pranojë ultimatume dhe bisedimet do të jenë të vështira.
“I jam mirënjohës përkushtimit europian për zgjidhjen e problemit dhe ne jemi të gatshëm për bisedime por padyshim që do të kemi shumë punë dhe detyra të vështira. Jemi të ekspozuar ndaj pritjeve të mëdha të partnerëve europianë dhe qëndrimeve jorealiste të Prishtinës, ata duan gjithcka ndërsa Serbia të mbetet pa gjë”, theksoi presidenti serb, Alexandër Vucic.
Video-konferenca e udhëhequr nga presidenti francez dhe kancelarja gjermane, në praninë edhe të përfaqësuesve specialë të Brukselit, ishte hapi i parë konkret për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE.Ky proces u ndërpre në nëntor të vitit 2018 pasi qeveria e atëhershme Haradinaj vendosi tarifën 100% ndaj mallrave serbe.
GAZMEND KURTISHI
