Botë

Raporte për një tjetër shpërthim në Iran, zyrtarët e mohojnë

10.07.2020 20:18

Zyrtarët iranianë i mohuan raportet për një shpërthim në perëndim të Teheranit - i fundit në vazhdën...

Zyrtarët iranianë i mohuan raportet për një shpërthim në perëndim të Teheranit - i fundit në vazhdën e disa shpërthimeve misterioze që kanë goditur këtë vend në javët e fundit.
 
Përdoruesit e mediave sociale thanë se kanë dëgjuar shpërthime pranë qyteteve Garmdareh dhe Kods, raportuan mediat shtetërore.
 
Nuk është e qartë se kur kanë ndodhur ato.
 
Lokacione të rëndësishme, përfshirë objekte bërthamore dhe rafineri të naftës, janë dëmtuar në incidentet e fundit.
 
Ditë më parë, Organizata për Energji Bërthamore e Iranit ka konfirmuar shpërthimin e një zjarri në centralin bërthamor Natanz.
 
Incidenti raportohet se ka frenuar programin bërthamor të Iranit.
 
Sipas raporteve të agjencisë shtetërore të lajmeve IRIB, postimet për incidentin e fundit kanë filluar të qarkullojnë në internet rreth mesnatës së kaluar.
 
Guvernatorja e Kodsit, Leila Vaseghi, tha për agjencinë e lajmeve IRNA, të udhëhequr nga qeveria, se ka pasur ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike në qytet, porse ajo ishte e lidhur me një spital.
 
Kryetari i Garmdarehut tha se tingulli i dëgjuar në këtë qytet ishte nga një "shpërthim në një fabrikë që prodhon cilindra gazi".
 
Që nga fundi i qershorit ka pasur disa zjarre ose shpërthime të pashpjegueshme në lokacionet e ndjeshme në Iran:
 
26 qershor: Shpërthim në një objekt të prodhimit të karburantit të lëngshëm për raketa balistike në Khojir, afër Teheranit; zjarr në termocentralin në Shiraz.
 
30 qershor: Shpërthim në një klinikë mjekësore në Teheran; 19 persona humbën jetën.
 
2 korrik: Shpërthim dhe zjarr në lokacionin bërthamor në Natanz.
 
3 korrik: Zjarr i madh në Shiraz.
 
4 korrik: Shpërthim dhe zjarr në termocentralin në Ahvaz; rrjedhje e gazit të klorit në fabrikën petrokimike Karoun në Mahshahr./evropaelire