Ademi, garanton ndryshimin e emrave të shkollave në Tetovë

27.10.2014 17:22

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, sot ka vizituar Shkollën e Mesme Komunale të Tetovës “Mosha Pijade”, ku në kuadër të kësaj shkolle është promovuar Qendra për Mësim të Integruar Maqedono-Shqiptar........

Me këtë rast, numri një i Arsimit, Abdylaqim Ademi, theksoi se dikasteri që ai drejton në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, së shpejti do të gjejë një zgjidhje për të ndryshuar emrat e pesë shkollave të mesme në Komunën e Tetovës, të cilat për momentin bartin emra të veprimtarëve maqedonas.

“Është një proces që ne duhet ta ndjekim, është një proces që duhet t’ua përshtatim rrethanave aktuale, por edhe nevojave të nxënësve, të prindërve, por edhe të punësuarve dhe shpresoj që në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, të paktën në këtë shkollë ku jemi të gjejmë një zgjidhje më të shpejtë. Është në proces, thashë që nuk do të ngutemi, mirëpo më me rëndësi është që nxënësit dhe të punësuarit në atë shkollë ta ndjejnë shkollën si të tyren edhe nëpërmjet emrit që mban shkolla”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

Ministri Ademi, tha se emrat e shkollave nuk luajnë ndonjë rol në ngritjen e cilësisë në arsim, por rol kryesor ka aktiviteti që zhvillohet nëpër shkolla. Ai, u shpreh i bindur se shumica e nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës “Mosha Pijade” nuk kanë njohuri  për emrin e shkollës së tyre.

“Komponenta kryesore për cilësinë në arsim sigurisht që nuk është emri i një shkolle, por është aktiviteti që zhvillohet në atë shkollë, mirëpo gjithashtu nxënësit dhe të punësuarit në njëfarë mënyre duhet ta ndjejnë shkollën si të tyre edhe nëpërmjet emrit që mban ajo shkollë. Nëse ju sot zhvilloni një anketë me nxënësit e kësaj shkolle ku gjendemi sot dhe pyesni se kush është “Mosha Pijade”, ju garantoj që 99.9 për qind nuk do ta dinë se kush është ajo”- u shpreh Ademi.

Se Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, kishte të drejtë në prononcimin e tij, këtë e vërtetuan nxënësit e kësaj shkolle, të cilët nuk kishin aspak njohuri për emrin Mosha Pijade, madje për këtë emër nuk kishin asnjë lloj informacioni edhe pedagogët e kësaj shkolle. (Miftar Emini, TVM2)