Kosovë, 1 viktimë dhe 216 raste të reja me Covid-19
Mbrëmë në Kosovë janë konfirmuar edhe 216 raste të reja me korona-virus...

Mbrëmë në Kosovë janë konfirmuar edhe 216 raste të reja me korona-virus, duke e çuar kështu në 4 mijë e 931 numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga 13 marsi, kur edhe u konfirmuan rastet e para. Nga ky numër, 2 mijë e 267 janë shëruar, kurse 102 të tjerë kanë vdekur. Kështu, numri i rasteve aktive në vend është 2 mijë e 562.
Komuna më e prekur nga ky virus është Prishtina, me gjithsej 1 mijë e 497 raste, 14 prej tyre kanë humbur betejën. Pastaj vjen komuna e Vushtrrisë, në të cilën nga 13 marsi janë konfirmuar gjithsej 410 të infektuar, 8 prej të cilëve kanë ndërruar jetë. Komuna e 3 për nga numri i rasteve pozitive, Prizreni, ka numrin më të madh të të vdekurve nga COVID-19, gjithsej 17 viktima, ndërsa ka 397 raste të konfirmuara pozitive.
Qeveria e Kosovës ka përgatitur dy skenare për të vijuar luftën me Covid-19. Skenari i parë është shtimi i masave kundër Covid-19 dhe zbatimi i tyre me rigorozitet, skenari i dytë është që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Deri në një moment të dytë, do të ndërpriten ritet fetare në Kosovë dhe grumbullimet e tjera.
