Botë

Shqipëri, mblidhet Komisioni Hetimor Për shkarkimin e Metës

13.07.2020 11:25

Në Shqipëri, sot mblidhet Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta....

Në Shqipëri, sot mblidhet Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta. Në këtë seancë do të shqyrtohet dhe analizohet raporti i Komisionit të Venecias, për sa i përket ngërçit të krijuar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. 

Komisioni i Venecias dha opinionin e tij në favor të Metës, ku thuhej se Presidenti nuk kishte bërë shkelje dhe në këtë mënyrë nuk gjen arsye për shkarkimin nga detyra të tij. Po kështu në këtë opinion, Venecia reagoi edhe për një çështje tjetër që është në rendin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, atë të dekretit të nxjerrë nga presidenti për anulimin e zgjedhjeve lokale.
 
Venecia këtë herë vlerësoi se Meta i ka tejkaluar kompetencat e tij. Pas këtyre opinioneve, mazhoranca duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me komisionin që ngriti një vit më parë. Afati i fundit ku skadon Komisioni i ngritur, është më 30 korrik. Fillimisht, Komisioni u ngrit për shkeljet e pretenduara të Presidentit për anulimin me dekret të zgjedhjeve të 8 qershorit të kaluar. Më pas, iu bashkëngjit edhe hetimi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.