Maqedoni
KShZ filloi procesin zgjedhor treditor, të parët votuan personat me Kovid-19
13.07.2020 14:37
Nga mesnata e së dielës ka filluar heshtja zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në vend...

Nga mesnata e së dielës ka filluar heshtja zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në vend, të cilat do të zgjasin tri ditë, përkatësisht më 13, 14 dhe 15 korrik. Të partë mundësinë për të votuar e kishin të prekurit nga virusi Korona dhe personat në vetizolim.
“Të drejtën e tyre të votës do të mund ta shfrytëzojnë votuesit të cilët janë me Kovid pozitiv dhe kështu votues ka 706 të cilët kanë kërkuar votimin ta kryejnë nëpër shtëpitë e tyre. Këta votues gjatë ditës së sotme do të vizitohen nga këshillat zgjedhorë specialë dhe këto këshilla do t’u mundësojnë realizimin e votës.”,- u shpreh zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
KSHZ: Të drejtë vote mbi një milion e 800 mijë votues
Të drejtën e votës të martën do të mund ta shfrytëzojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, edhe atë 8.852 votues, personat në 13 Institucione ndëshkuese-përmirësuese edhe atë 1.657 votues, gjashtë persona të zhvendosur brenda vendit dhe 357 votues në 17 shtëpi të pleqve. Ndërsa të mërkurën që nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 19 kutive të votimit do të mund tu drejtohen të gjithë qytetarët e vendit me të drejtë vote, duke respektuar protokollin për votim që përfshin mbajtjen e maskës dhe distancën prej dy metrash.
“Për zgjedhjet e parakohshme për deputet në kuvendin e RMV-së në listën zgjedhore janë të regjistruar 1, 814, 263 votues.”,- theksoi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
2.508 vëzhgues vendorë dhe 96 të huaj
Zgjedhjet po vëzhgohen edhe nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
“KSHZ ka shpërndarë gjithsejtë 2.508 vëzhgues vendorë dhe 96 akreditime për vëzhgues të huaj, si dhe 56 përkthyes dhe 55 gazetarë të huaj.”,- deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
Fletëvotimi i vlefshëm vetëm nëse rrethohet numri
Nga KSHZ sqarojnë se fletëvotim I vlefshëm do të llogaritet vetëm fleta në të cilën është rrethuar numri rendor para emrit të parashtruesit të listës.
“Fletëvotim i vlefshëm do të konsiderohet vetëm fletëvotimi në të cilin është rrethuar numri para parashtruesit të listës, asnjë shenjë tjetër nuk duhet të vendoset në fletëvotim sepse në atë rast, fletëvotimit do të konsiderohet i pavlefshëm.”,- u shpreh zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
Me qëllim që qytetarët të jenë në gjendje të informojnë KShZ-në dhe të japin rekomandime të tyre lidhur me procesin e zgjedhjeve, KShZ-ja do të ketë aktiv numrin falas të telefonit 0800-555-44 ndërsa për komunikim me qytetarët me dëgjim dhe të folur të dëmtuar do të jetë aktiv numri i telefonit 076488360, përmes të cilit këta qytetarë do të mund të komunikojnë me KSHZ-në përmes video-thirrjeve. Për të gjithë qytetarët e tjerë, do të jetë në dispozicion ueb faqja e KSHZ-së, si dhe rrjetet sociale Facebook dhe Twitter si dhe kanali në Youtube.
SANIJE DURAKU
