Maqedoni

Qeveria: Për hyrje në Kosovë shtetasve të RMV-së u kërkohet test negativ

13.07.2020 16:37

Qeveria e Kosovës ka vendosur një sërë masash të reja, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Korona...

Qeveria e Kosovës ka vendosur një sërë masash të reja, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Korona. Pjesë e masave është edhe obligimi për mbajtjen e maskave, ndërkaq personat e moshuar do të kenë orar të caktuar se kur mund të lëvizin. Po ashtu vendimi i Qeverisë së Kosovës parasheh që qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, të obligohen të prezantojnë një test negativ për virusin Korona, jo më të vjetër se 72 orë. Po ashtu, në këtë mbledhje është vendosur orari i kufizimit të lëvizjes për qytetarët në komunën e Mitrovicës së Jugut, Gjilanit, Fushë Kosovës dhe Shtërpcës. Orari i ndalimit të qarkullimit do të hyjë në fuqi më 13 korrik, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00. 
 
Në Kosovë, që prej 13 marsit e deri më 12 korrik, janë regjistruar 4.931 raste me COVID-19, prej të cilëve, 102 pacientë kanë vdekur. Ndërsa të dielën u njoftua për 216 raste pozitive. Për situatën serioze epidemiologjike kanë njoftuar edhe autoritetet shëndetësore në Shqipëri, prej ku është njoftuar për dy të vdekur dhe 117 të infektuar. 
 
“Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën dy qytetarë. Situata në spitalin infektiv përvijon e rënduar. Kemi 85 pacientë të hospitalizuar. Janë kryer 585 testime dhe kanë rezultuar pozitiv 117 raste.”,- tha Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.
 
Po ashtu në 24 orët e fundit janë shëruar 68 qytetarë, duke e çuar në 2014 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. 
 
Në Shqipëri ka 1462 persona aktivë me virusin Korona. Në nivel botëror numri i të infektuarve nga virusi Korona arrin në rreth 13 milion të infektuar, mbi 7 milion e 100 mijë janë shëruar, ndërsa 
569 mijë e 871 kanë vdekur. 

REJHANE BUSHI METAJ