Botë

Hagë, vazhdon marrja në pyetje e presidentit Thaçi

14.07.2020 17:01

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të dytën ditë me radhë hyri në Prokurorinë e Posaçme në Hagë...

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të dytën ditë me radhë hyri në Prokurorinë e Posaçme në Hagë që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pas luftës në Kosovë.
 
Ai nuk bëri ndonjë koment derisa hyri në ndërtesën e Prokurorisë ku një ditë më parë qëndroi për gjashtë orë. Në fund të ditës së parë ai tha shkurt se ka dëgjuar shkëmbimet mbi teknikalitetet ndërmjet prokurorit dhe avokatit të tij mbrojtës dhe se kjo do të vazhdojë gjatë të martës.
 
Prokuroria e Posaçme me 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
 
Një ditë më parë, para se të hynte në ndërtesën e prokurorisë presidenti Thaçi tha se është i gatshëm të përballet me atë që ai e quajti sfidë të re ndërsa nënvizoi se askush nuk mund ta rishkruajë historinë.
 
Akuzat i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake, i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre. 
 
Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk u është përgjigj pyetjeve të Rrjetit të Raportimit Hulumtues Ballkanik “BIRN” në lidhje me krimet e pretenduara, viktimat e tyre dhe vendin ku ishin kryer dhe as për rolin e Serbisë në sigurimin e provave. Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ka thënë se “nuk jep informacion mbi substancën ose mekanikën e hetimit të saj”.
 
Presidentin Thaçi e mbron avokati amerikan Pierre-Richard Prosper, i cili në pjesën e dytë të viteve të 90-ta ishte prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare të OKB-së për Ruandën.
 
Si prokuror në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, ka shërbyer edhe në poste të tjera përfshirë atë të ambasadorit për çështje të krimeve të luftës në periudhën e administratës së presidentit George Bush.
 
 Publikimi i akuzave ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, gjatë muajit të kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe kritika ndaj prokurorisë, veprimi i së cilës u cilësua nga vëzhgues në Kosovë si politikisht i motivuara. Publikimi i akuzave bëri që të anulohet edhe një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që pritej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.
 
Menjëherë pas anulimit të tij Bashkimi Evropian organizoi takimet e para nëpërmjet video konferencave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, udhëheqësit e të cilave pritet të ulen përballë njëri tjetrit të enjten në Bruksel, ku për herë të pare, presidenti Thaçi nuk do të jetë pjesë e tyre.
 
SHPËTIM NUREDINI