Botë
Shqipëri, komisioni i ligjeve miraton ndryshimet kushtetuse
14.07.2020 17:36
4 ditë pasi kryeministri Rama u pozicionua pro listave të hapura dhe kundër koalicioneve parazgjedhore

4 ditë pasi kryeministri Rama u pozicionua pro listave të hapura dhe kundër koalicioneve parazgjedhore, Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet në Kushtetutë, lidhur me reformën zgjedhore.
Deputetja socialiste Klotilda Ferhati tha se jo të gjitha ndryshimet është e nevojshme të sanksionohen në kushtetutë, por Kreu i grupit demokrat, Myslim Murrizi e vuri edhe një herë theksin te saktësimi i pragut elektoral, ku opozita parlamentare këmbëngul që ai të jetë 2 përqind.
“Niveli i pragut do të lihet për t'u përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Në Kushtetutë do të vendosim çështjet parimore. Por edhe Kodi miratohet me shumicë të cilësuar dhe e njëjta praktikë të vendoset bashkërisht. Listat janë të hapura dhe kjo duhet të vendoset në Kushtetutë. Niveli jo më pak se 2/3 është dysheme. Kjo është bërë për të garantuar konkurrueshmërinë, por edhe ruajtjen e barazisë gjinore.”, tha Klotilda Ferhati nga PS.
“Do donim të merrnim nga mazhoranca garancinë që prag kombëtar me këtë sistem do të jetë pragu natyral i çdo qarku, ç’ka do të thotë askush nuk privohet nga mandati i drejtpërdrejtë. Prag kombëtar pa prag, pa shifër është evaziv, nul me këtë sistem. Nuk është nevoja ta sanksionojmë në Kushtetutë, por mazhoranca të garantojë që prag kombëtar do të jetë pragu natyral i çdo qarku.”, tha Myslym Murrizi, Kryetari i grupit Demokrat.
Në këtë mënyrë, sanksionohet marrëveshja e 5 qershorit, dhe pas këtij miratimi pritet që ndryshimet të miratohen në Kuvennd.
Opozita jashtëparlamentare e cilësoi këtë vendim si “tentativë për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit”, duke bërë përgjegjës vetëm Edi Ramën.
LULJETA NDOKA
