Dialogu Kosovë-Serbi, sot takimi Hoti-Vuçiç në Bruksel
Pas 20 muajsh ndërprerjeje, në Bruksel rifillon dialogu i drejtpërdrejt Kosovë-Serbi....

Pas 20 muajsh ndërprerjeje, në Bruksel rifillon dialogu i drejtpërdrejt Kosovë-Serbi, një proces të cilin Serbia e sheh si të vështirë, ndërsa Prishtina e sheh me qëllimin final arritjen e një marrëveshjeje që të sjellë njohjen reciproke.
Pas dy takimeve virtuale, Samitit të Parisit dhe një video konference të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të gjenden përballë njëri-tjetrit në kryeqytetin belg, në prani të ndërmjetësuesit të BE-së në dialog Mirosllav Lajçak. Ajo çfarë u arrit gjatë samiti virtual ishte se palët ranë dakord për agjendën e takimit të sotëm, “me elementet kryesore të dialogut Kosovë-Serbi”.
Para se të niset për në Bruksel, Hoti, takoi përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që angazhohen për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës. Kjo çështje dhe tema të tjera do të jenë pjesë e diskutimeve në Bruksel.
Ai e bëri të qartë edhe një herë se Kosova hyn në procesin e dialogut me synimin e qartë njohjen reciproke dhe normalizimin e plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, dialogun me palën kosovare e ka cilësuar të vështirë, ndonëse nuk është deklaruar shumë pas takimit të fundit virtual. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se “arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi është thelbësore për qytetarët e të dyja vendeve dhe ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht detyruese”.
