Botë
Covid 19 – Shqipëri, 3 viktima e 99 raste të reja; Covid 19 - Kosovë, 132 raste të reja e 83 të shëruar
16.07.2020 19:45
Tre pacientë të tjerë humbën jetën nga Covid-19 në Shqipëri duke çuar në 104 numrin e përgjithshëm të viktimave...

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se janë konfirmuar 99 raste të reja në 24 orët e fundit.
“Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit ka humbur jetën një 44 vjeçare nga Tirana, prej 10 ditësh e intubuar dhe pa sëmundje bashkëshoqëruese, përveç obezitetit. Nuk e kanë fituar betejën edhe dy qytetarë, një 64 vjeçar nga Tirana dhe një 65 vjeçare nga Vlora me sëmundje bashkëshoqëruese. Me hapjen e Covid2, aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 102 pacientë, 11 pacientë janë në terapi intensive dhe 3 prej tyre janë të intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 425 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 99 raste pozitive. Në 24 orët e fundit janë shëruar 46 qytetarë, duke e çuar në 2137 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1610 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Durrës.”,- deklaroi Marjeta Dervishi - Instituti i Shëndetit Publik-Shqipëri.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik Në Kosovë ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 132 raste të reja me koronavirus prej 486 mostrave sa janë testuar. Përveç për rastet e reja, IKSHP-ja ka njoftuar edhe për shërimin e 83 pacientëve.
Me këtë shifër, numri total i rasteve të konfirmuara në gjithë vendin nga fillimi i pandemisë ka arritur në 5 mijë e 369, me gjithsej 118 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
FLUTURA LATIFI
