Botë
Specialja e nisë intervistimin, Thaçi nuk deklarohet për media
16.07.2020 20:01
Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga prokurorët e zyrës së prokurorit të specializuar në Hagë...

Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga prokurorët e zyrës së prokurorit të specializuar në Hagë deri më tani nuk ka mbaruar.
Presidenti i Kosovës, Hasim Thaçi, nuk është deklaruar sot para mediave gjatë hyrjes në Prokurorinë Speciale.
Presidenti Thaçi që nga dita e hënë është duke qëndruar në Hagë të Holandës, aty ku edhe ndodhet Gjykata Speciale. Intervistat gjatë tri ditëve të kaluara Thaçit i kanë zgjatur rreth gjashtë orë, ndërsa para objektit të Dhomave të Specializuara kanë qëndruar mbështetës të presidentit të cilët kishin shkuar nga vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, por edhe nga Kosova. Pas intervistimit të hënën, në ditën e parë, Thaçi ka thënë se është diskutuar për “çështje sqaruese, teknike dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.
Aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për ta konfirmuar ose hedhur poshtë. Thaçi ka thënë më herët se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.
REJHANE BUSHI METAJ
