Botë

Italia i mbyll kufijtë për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi

16.07.2020 21:18

Italia njoftoi të enjten se ka mbyllur kufijtë për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi...

Italia njoftoi të enjten se ka mbyllur kufijtë për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
 
Përmes një postimi në Twitter, ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, tha se “Serbia, Mali i Zi dhe Kosova janë futur në listën e vendeve në rrezik”.
 
“Atyre që kanë qenë atje në 14 ditët e kaluara, u ndalohet hyrja dhe kalimi tranzit në Itali”.
 
“Në botë, epidemia është në fazën më të vështirë. Kujdesi maksimal është i nevojshëm për të ruajtur përparimin e bërë deri më tani”, shkroi ministri Speranza në Twitter.
 
Në kulmin e pandemisë së koronavirusit në mars dhe prill, Italia ka qenë epiqendër e infeksionit.
 
Mbi 243,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa afro 35,000 kanë vdekur.
 
Numri i të infektuarve ka qenë në rënie në javët e fundit dhe ekonomia italiane është në rihapje e sipër.
 
Këtë javë, edhe Austria ka ndaluar fluturimet për dhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
 
Vendet e këtij rajoni kanë parë rritje të madhe të numrit të rasteve me koronavirus, në javët e fundit.
 
Aktualisht, në Kosovë janë të konfirmuara 5,237 raste pozitive.
 
Prej tyre, 112 pacientë kanë vdekur dhe 2,462 janë shëruar.
 
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia është më e goditura, me gati 20,000 raste pozitive dhe 429 viktima./evropaelire