Botë
Kosovë, 6 viktima dhe 103 raste të reja me Kovid-19; Shqipëri, 3 viktima dhe 55 raste të reja me Kovid-19; Covid-19, afër 14 milionë të infektuar në botë
17.07.2020 16:49
Situata shqetësuese me virusin Korona në Kosovë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 6 viktima...

Situata shqetësuese me virusin Korona në Kosovë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 6 viktima, ndërsa janë regjistruar103 raste të reja nga 459 teste, ndërsa 95 pacientë janë shëruar.
“Janë testuar gjithsej 459 monstra të marra nga pacientë të shtrirë në spital apo nga gjurmimi i kontakteve në teren, prej të cilave kanë rezultuar pozitiv 103 raste. Numri total i rasteve ka arritur në 5472 nga 30005 të testuar, me gjithsej 124 raste me përfundim fatal. Janë shëruar edhe 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 2640, kurse numri i rasteve aktive 2708.”,- deklaroi shefi i Departamentit të Epidemiologjisë, Xhavat Japupi.
Ndërkohë, në Shqipëri është njoftuar për 3 të vdekur dhe 55 raste të reja me Covid-19, ndërsa janë shëruar 77 persona.
“Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 3 qytetarë të cilët po trajtoheshin në terapi intensive, të intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 431 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilët janë konfirmuar 55 raste pozitive. Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitivë me Covid-19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë e Durrës.”,- deklaroi Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë.
Në të gjithë botën numri i të prekurve nga COVID-19 është rritur në më shumë se 13 milion e 800 mijë persona. Nga të dhënat e grafikut të pandemisë Covid-19, gjithsej janë shënuar rreth 590 mijë viktima.
Po ashtu që nga fillimi i pandemisë janë shëruar mbi 7.7 milionë pacientë. SHBA kryesojnë renditjen për sa i përket rasteve të personave të identifikuar me virusin Korona dhe vdekjeve që shkaktoi virusi, e ndjekur nga Brazili, India, Rusia dhe Peruja.
GYLTENE SINANI
