Botë

Bruksel, samit për rimëkëmbjen ekonomike

17.07.2020 19:27

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian në samit dyditor shqyrtojnë pakon stimuluese ekonomike...

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian në samit dyditor shqyrtojnë pakon stimuluese ekonomike, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për periudhën e pas-koronavirusit. 
 
Ata po ashtu duhet të dakordohen për buxhetin shtatëvjeçar, në vlerë prej 1.07 trilion eurosh. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lejen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, vlerësojnë se marrëveshja është e mundur. 
 
“Rreziku i virusit vazhdon të ekzistojë, por me buxhet bindës evropian kemi mundësi jo vetëm ta tejkalojmë krizën, por edhe ta modernizojmë tregun tonë të përbashkët.”,- deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lejen.
 
“Kemi punuar me përkushtim që ta përgatisim propozimin. E dijë se do të jetë vështirë, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për para por për njerëz, për ardhmërinë evropiane dhe unitetin tonë.”,- tha kryetari i këshillit, Sharl Mishel.
 
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, para Samitit tha se “pozicionet janë ende të ndara”.
 
“Po hyjmë në këtë samit me shumë entuziazëm, por dallimet ende janë të thella. Patjetër ta shohim realitetin, prandaj duhet shumë kompromis, që të arrihet diçka që është e mirë për Evropën dhe njerëzit.”,- u shpreh kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
 
Presidenti francez, Makron, deklaroi se ky është moment i së vërtetës dhe ambicieve. 
 
“Po kalojmë një krizë të paparë shëndetësore, që po ndikon edhe në sferën ekonomike dhe sociale. Ajo imponon solidaritet më të madh dhe ambicie.”,- tha presidenti i Francës, Emanuel Makron.
 
Plani i rimëkëmbjes aktualisht parasheh 500 miliardë euro grande dhe subvencione dhe 250 miliardë euro kredi. Shtetet me më shumë kursime, si Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, duan kontroll mbi mënyrën e shpërndarjes së parave.
 
Derisa Italia dhe Spanja, thonë se një gjë e tillë do ta bllokonte procesin. Takimi në Bruksel pritet të vazhdojë edhe në fundjavë, por liderëve të BE-së mund t’iu duhet më shumë kohë për të arritur marrëveshjen përfundimtare.
 
REJHANE BUSHI METAJ