Botë
Fondi për rimëkëmbje nga pandemia, Merkel: Ka vullnet, por edhe qëndrime të ndryshme
19.07.2020 15:55
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron...

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë thënë se ata janë të gatshëm që të largohen pa marrëveshje prej samitit të liderëve të BE-së, teksa kanë mbërritur për ditën e tretë të debateve të stërzgjatura rreth kushteve për fondin 750 miliardë eurosh për rimëkëmbje nga pandemia. Me BE-në e përçarë midis shteteve anëtare veriore dhe atyre jugore, ashtu si edhe lindore dhe perëndimore, presidenti francez dhe kancelarja gjermane kanë sinjalizuar se durimit të tyre është duke i ardhur fundi, me gjithë domosdoshmërinë për t’iu përgjigjur recesionit ekonomik, me të cilin po përballet blloku.
"Po hyjmë në ditën e tretë të negociatave sot, të cilat janë vendimtaret.Në këtë pikë, i kemi tejkaluar mospajtimet e shumta, përfshirë rreth shumës së fondit, si do të menaxhohet ai dhe po ashtu edhe çështjet e lidhura me sundimin e ligjit. Ende nuk mund të them nëse do të ketë zgjidhje. Ka vullnet të mirë, por ka edhe qëndrime të ndryshme.", tha Angela Merkel, kancelarja gjermane.
Fondi për rimëkëmbje nga pandemia, Makron: Kompromise jo në dëm të ambicies Evropiane
"Besoj se është e mundur. Por këto kompromise dhe këtë e them qartë, nuk do të bëhen në dëm të ambicies evropiane. Gatishmëria për të bërë kompromis nuk mund të na bëjë të heqim dorë nga ambicia legjitime që duhet të kemi, dhe në orët në vijim do të dimë nëse janë në pajtueshëmëri.", tha Emmanuel Macrkon, presidenti francez.
Plani i rimëkëmbjes, aktualisht parasheh 500 miliardë euro grante dhe subvencione dhe 250 miliardë euro kredi. Shtetet me më shumë kursime, si Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, duan kontroll mbi mënyrën e shpërndarjes së parave. Derisa Italia dhe Spanja, thonë se një gjë e tillë do ta bllokonte procesin. Takimi në Bruksel pritet të vazhdojë edhe në fundjavë, por liderëve të BE-së mund t’iu duhet më shumë kohë për të arritur marrëveshjen përfundimtare.
REJHANE BUSHI METAJ
