Ekonomistët dhe bizneset në Strugë: Mos ardhja e mërgimtarëve, pasoja për ekonominë

20.07.2020 16:01

Duke qenë se Struga është qytet turistik...

Duke qenë se Struga është qytet turistik, një pjesë e madhe e bizneseve varen nga turistët dhe diaspora që gjatë verës i kalon pushimet në vendlindje. Por, për shkak të pandemisë, ardhja e mërgimtarëve në vendlindje ka qenë e vështirë, gjë që ka ndikuar shumë në sektorin e turizmit dhe ekonominë e vendit në përgjithësi, thonë ekonomistët.

“Jo vetëm qeveria, po çdo qytetar e din se çfarë ndikimi ka ardhja e kurbetçarëve ose ardhja e qytetarëve tanë që gjenden jashtë vendit. Ata janë një shtytje shumë e fortë e ekonomisë sonë dhe me mosardhjen këtë verë normal që do të ketë ndikim shumë të madh në ekonomi, gjë që e kemi përjetuar, por do ta përjetojmë edhe më pas. Mbi 80% të bizneseve janë të dëmtuar, të prekur nga kjo situatë, që do të thotë se këto biznese nuk do të jenë në gjendje të lëvizin një shumë të të hollave dhe ajo pastaj do të reflektojë edhe te qytetari më i thjeshtë i këtij vendi, i cili do ta pësojë pak më rëndë, sepse do t’i mungojnë të hollat për jetën minimale.”,- tha ekonomisti, Isa Ibraimi.

Edhe pronarët e bizneseve në Strugë theksojnë se po ndjehet mungesa e mërgimtarëve këtë sezon veror.

“Struga njihet si qytet që të gjithë bizneset janë ndikuar dhe të lidhur shumë ngushtë me vendasit të cilët jetojnë në diasporë. Sivjet ata dobët kanë ardhur, kështu që situata nuk është si vitet e tjera, flas për biznesin tim i cili është direkt i lidhur me sezonin veror të dasmave. Pas një pushimi pak të gjatë, bizneseve iu kthyem, puna vazhdon, por nuk është rrjedhshmëria që ishte, d.m.th. është ndjerë.”,- u shpreh pronarja e një salloni bukurie, Bertiana Dauti.

Rënia e ekonomisë për shkak të situatës së pandemisë ka sjellë edhe në falimentimin e disa bizneseve. (Ilmie Zhaku, TVM2)