Sulmi kibernetik ndaj ueb faqes së KShZ-së, qytetarët të ndarë në besueshmërinë e procesit

20.07.2020 17:27

Procesi zgjedhor përfundoi, ankesat e partive politike u refuzuan....

Procesi zgjedhor përfundoi, ankesat e partive politike u refuzuan dhe KShZ dha fjalën e fundit sa i përket numërimit të votave, por ajo që mbet enigmë ishte sulmi kibernetik që iu bë ueb-faqes së KShZ-së ditën e zgjedhjeve. Kjo ka ndikuar që disa qytetarë të anketuar nga TVM2 të kenë dyshime mbi procesin zgjedhor.

“Çka të besosh, çkado po del atje. Ndryshe del numri i votave nëpër kutitë zgjedhore, ndryshe atje.”,- theksoi një qytetar.

“Nuk besoj në rezultatin zgjedhor, për shkak se KShZ nuk u prononcua në kohë me rënien e sistemin. Prandaj nuk besoj.”,- u shpreh një qytetar.

“Asnjëherë nuk besoj, sepse kanë vjedhur.”,- theksoi një qytetar.

“Edhe atje ka manipulime partiake. Deri sa ka partiak krejt është kot. Shumë kanë anuluar dhe askënd se kanë marrë në dorë.”,- tha një qytetar.

Por, për disa të tjerë procesi zgjedhor është legjitim, përderisa votat janë publikuar nga KShZ në bazë të proces-verbaleve.

“Po, i besoj rezultatit zgjedhor. Mendoj që KShZ e dha versionin e vet. Ata kanë pasur vëzhgues, një pjesë e tyre kanë pasur edhe anëtarë në KShZ, tash të shohin çfarë do të vendos Gjykata Administrative.”,- deklaroi një qytetar. 

Në bazë të asaj që ka deklaruar KShZ deri sa i ka quajtur valide rezultatet e zgjedhjeve dhe i ka hedhur poshtë ankesat e partive tjera opozitare, atëherë lirisht mund të konstatojmë se janë valide.”,- theksoi një qytetar.

Jakupi: Sulmi kibernetik nuk cenon kredibilitetin e KShZ-së

Ish-anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi, vlerëson se komisionit nuk i cenohet kredibiliteti si pasojë e hakimit të ueb-faqes së tij. Por, pjesë të përgjegjësisë, sipas tij, KShZ ka në pjesën e transparencës dhe sqarimit para opinionit. Sipas tij, KShZ duhej të ishte më aktive dhe të jepte sqarime. 

“Ueb-faqja është vetëm për personat të cilët interesohen t’i ndjekin rezultatet, por ajo oficiale janë proces-verbalet të cilat konstatojnë rezultatin dhe unë në këtë drejtim nuk mendoj se ka çështje të cilat mund të lënë gjurmë që është bërë parregullsi.  Me vonesat që doli KSHZ-ja, mendoj se ato është dashur të japin sqarime shumë të kohshme që mos mendohet që meqë ka një sulm në çështjet kibernetike e ueb-faqes, që të jenë më të qartë në atë drejtim e jo të mbyllen në atë drejtim, domethënë deri sa ato zbuluan edhe shkaku ku ka qenë. Prandaj, në këtë drejtim pak u vonuan.”,- deklaroi ish-anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Nga KShZ kanë vlerësuar se procesi zgjedhor ka qenë në përputhje me ligjin dhe rregullativën zgjedhore, prandaj edhe kanë hedhur poshtë të gjitha ankesat e partive politike për procesin zgjedhor.

Ndërsa sa i përket sulmit kibernetik në ueb faqe nga KShZ kanë theksuar se kjo nuk ka pasur ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, pasi rezultati bazohen në procesverbalet e përpiluara në vendvotime, ku partitë kanë anëtarët dhe vëzhguesit e tyre.  (Ersan Pajaziti, TVM2)