Samiti i BE-së pa marrëveshje, vazhdon takimi maratonë
Në Bruksel vazhdoi Samiti maratonë i 27 vendeve anëtare të BE-së...

Në Bruksel vazhdoi Samiti maratonë i 27 vendeve anëtare të BE-së i nisur të premten, për të përcaktuar pakon financiare të grandeve dhe huave për përballjen me pasojat e virusit korona. BE, e ndarë në tre tabore në këto bisedime.
Ndarja kryesore është midis vendeve të jugut, të goditura nga kriza shëndetësore, e të cilat kanë mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës.
Nga ana tjetër janë vendet kursyese të kryesuara nga Holanda, e që bëjnë pjesë edhe Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, të cilat janë kundër ndarjes së grandeve për vendet siç janë Italia dhe Spanja.
“Bisedimet janë intensive dhe zgjatën deri vonë, Emanuel Makron dhe Angela Merkel nga njëra anë dhe grupi kursyes në anën tjetër. Më vjen mirë që në grupin tonë tani kemi edhe kryeministrin e qeverisë finlandeze, që forcon pozicionin tonë negociues. Mbetem optimist se mund të gjejmë zgjidhje. Aty ku ka vullnet ekziston mënyrë. Besoj se në këtë samit mund të arrihet rezultat.”,- tha kancelari i Austrisë, Sebastijan Kurc.
Grupi i kundërt konsideron se me mosmiratimin e pakos financiare për rimëkëmbje, rrezikohet tregu i përbashkët evropian.
“Italia nuk mund të pranojë këtë plan për uljen e shumës financiare. Të gjithë jemi në anijen e njëjtë. Çështja s’është që ti ndihmohet Italisë me ndarjen e grandeve apo huave, pasi që bëhet fjalë për ekonomi të integruara. Nëse ulet sektori prodhues i një shteti, atëherë pësojnë edhe shtetet të cilat I takojnë kësaj ekonomie të integruar, ashtu që kjo është në interes të gjithkujt. Nuk guxojmë ta ndryshojmë bilancin institucional. Mbetem në këtë qëndrim.”,- deklaroi kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte.
Kancelarja gjermane Angela Merkel shpreson në arritjen e marrëveshjes.
“Mbrëmë pas bisedimeve të gjata formuam kornizë për një marrëveshje të mundur. Ky është përparim dhe jep shpresë. Jam e lumtur që unë dhe presidenti francez në maj nisëm një program të rëndësishëm. Ishte e qartë se do të kemi bisedime të rënda, që do të vazhdojnë edhe sot. Në situatë të jashtëzakonshme nevojiten edhe përpjekje të jashtëzakonshme.”,- theksoi kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Grupin e tretë të shteteve, më të voglin, të kryesuar nga Hungaria e përbëjnë disa shtete të lindjes të cilët refuzojnë që ndihma financiare të kushtëzohet me sundimin e së drejtës. Megjithatë siç duket grandet do të peshojnë 350 deri në 400 miliard euro, më pak nga ajo që është planifikuar 500 miliard euro. (Meral Ismaili, TVM2)
