Rusia do t’i njohë zgjedhjet separatiste në Ukrainë
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska planifikon të njohë zgjedhjet që do të mbahen në lindje të Ukrainës, më 2 nëntor, me gjithë kundërshtimet e Qeverisë në Kiev..........

Lavrov, i ka bërë këto komente për gazetën ruse “Izvestia”. Liderët e kryengritësve pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk, kanë thënë se do t’i mbajnë zgjedhjet për t’i zgjedhur parlamentet separatiste dhe liderët e tyre.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se të gjitha zgjedhjet lokale që mbahen në Ukrainë, duhet të organizohen në përputhje me ligjet e Ukrainës. Ai ka thënë se Kievi nuk do t’i konsiderojë si të ligjshme zgjedhjet në Donjeck dhe Luhansk.
Kievi u ka ofruar vetëqeverisje trevjeçare disa pjesëve të Donjeckut dhe Luhanskut dhe ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen më 7 dhjetor. Separatistët pro-rusë në këto dy rajone kanë shpallur pavarësinë, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në muajin mars.
