Botë, mbi 14 milion e 535 mijë të infektuar me Covid-19
Edhe në shtetet evropiane, SHBA, Rusi...

Edhe në shtetet evropiane, SHBA, Rusi dhe shtetet tjera të botës ka vazhduar rritja e numrit të personave të prekur nga Covid-19.
Franca e ka bërë të obligueshme vendosjen e maskave në të gjitha hapësirat e mbyllura publike pas vatrave të reja të përhapjes së korona-virusit. Ata që nuk e respektojnë këtë vendim mund të gjobiten me 135 euro. Franca është në mesin e vendeve më të prekura nga virusi në Evropë, pasi deri më tani, janë regjistruar mbi 200 mijë të infektuar dhe më shumë se 30 mijë të vdekur.
Edhe në Belgjikë shtabi i krizave paralajmëroi se sërish po rritet numri i të infektuarve pas një periudhe të gjatë stabile dhe i bëri thirrje popullatës në përgjegjësi personale. Belgjika shënon mesatarisht 154 raste të reja në ditë, ndërsa numri i tërësishëm i të infektuarve në arriti në 63mijë e 893 persona. Autoritete shëndetësore në Kroaci bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 25 raste të reja me Covid-19, ndërsa dy persona kanë ndërruar jetë. Numri i rasteve aktive në Kroaci aktualisht është 1.150, derisa numri i rasteve të përgjithshme të konfirmuara me këtë virus është 4,370.
Në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar 61mijë e 487 raste të reja të virusit korona, ndërsa deri më tani, ka të paktën 3 milion e 773 mijë raste pozitive, prej të cilëve 140 mijë e 534 kanë humbur jetën. Numri i rasteve me virusin korona në Rusi ka arritur në 777 mijë e 486 ndërsa numri i të vdekurve në 12.427. Derisa numri i rasteve ditore për herë të parë pas 29 prillit zbriti nën 6.000.
Në Indi në 24 orët e fundit janë regjistruar 40 mijë e 425 raste të reja me Covid-19. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Indi ka arritur në 1 milion e 118 mijë persona, ndërsa numri i të vdekurve arrin në 27 mijë e 497 persona. Në nivel Botëror numri i përgjithshëm i personave të infektuar arrin në mbi 14 milion e 535 mijë persona, prej të cilëve mbi 8 milion e 185 mijë janë shëruar ndërsa 606 mijë e 810 persona kanë humbur jetën. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
