Botë

Hoti në takim me përfaqësuesit e partive, ftesën e refuzuan LVV dhe PDK. Osmani: Hoti ftohet të raportojë në Kuvend

21.07.2020 15:18

Vetëm përfaqësuesit e partive të koalicionit iu përgjigjën ftesës së takimit të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti...

Vetëm përfaqësuesit e partive të koalicionit iu përgjigjën ftesës së takimit të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për të raportuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
 
Ftesës nuk iu përgjigjën partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
 
Anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, pas takimit tha se Kosova nuk duhet të rrëshqasë në dialog teknik, derisa nuk konfirmoi nëse shefi i ekzekutivit iu ka paraqitur koordinatorin për dialog në këtë takim.
 
“Nëse një koordinator do të ketë kompetencat siç kanë pasur koordinatorët e mëparshëm atëherë është rrezik të rrëshqitet në dialog teknik. Kryeministri u zotua që nuk do të pranojë në asnjë mënyrë që Kosova dhe kjo qeveri të rrëshqas drejt një dialogu teknik.”,- deklaroi Bilall Sherifi nga Nismës Socialdemokrate.
 
Paraprakisht Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, të raportojë të premten në lidhje me takimin e fundit në Bruksel javën e kaluar rreth dialogut me Serbinë.
 
Osmani tha se ftesa është bërë pas letrës që ka marrë nga Hoti, ku ai ka shprehur gatishmërinë për të raportuar.
 
“Ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Kuvendit që të kemi raportim nga kryeministri dhe tani pasi që e morëm letrën nga ai dhe pas konsullatave që kam marrë nga kryesia, kemi vendosur që ky raportim të bëhet të premten në ora 12:00.”,- theksoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Kryeministri Hoti ka paralajmëruar se takimi i radhës në Bruksel pritet të mbahen të enjten, ku do të merr pjesë koordinatori shtetëror për dialogun. 
 
GULTENE SINANI