Të shtëna me armë në Çikago, lëndohen 14 persona, 11 në gjendje kritike

22.07.2020 18:14

Së paku 14 persona janë lënduar....

Së paku 14 persona janë lënduar, si pasojë e të shtënave me armë që kanë ndodhur në afërsi të një morgu në Çikago.

Incidenti ka ndodhur në pjesën jugore të qytetit. Një automobil që ka qenë në lëvizje ka hapur zjarr në drejtim të njerëzve të cilët kanë qenë para morgut. Personat para morgut të cilët kanë qenë gjithashtu të armatosur ua kanë kthyer me të shtëna.

“Dhuna po bëhet e përditshme. Çdo ditë dëgjojmë për vrasje dhe gjuajtje me armë. Kam ndjenjën se jetojmë në një zonë lufte.”,- tha qytetar i Çikagos, Kenet Huges.

“Çka të themi për këtë bashkësi. Nuk mund t’i lëmë fëmijët të lëvizin lirshëm, e as të lozin. Nuk mundemi lirshëm të shkojmë as në market. Tani dhuna shfaqet edhe në varrime.”,- u shpreh qytetarja e Çikagos, Arnita Geder.

Shërbimi zjarrfikës i Çikagos tha se 11 persona janë hospitalizuar dhe janë në gjendje kritike. Zëvendësshefi i policisë së Çikagos deklaroi se është gjetur veturë e djegur, një person është arrestuar dhe po kërkohen të dyshuarit  e tjerë.

“Të pranishmit në varrim kanë shkëmbyer zjarr me një automobil të zi, i cili është drejtuar drejt veriut. Pas të shtënave disaminutëshe sulmuesit kanë arritur që të ikin. Njëri është arrestuar dhe detektivët tonë po punojnë në rastin”,- tha zëvendësshefi i policisë së Çikagos.

Kryebashkiakja e Çikagos, Llori Llajtfut, tha se pret ndihmë nga agjentët federal, me qëllim që ta luftojnë krimin, i cili në vitin 2020 sipas saj është në rritje. (Ersan Pajaziti, TVM2)